Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka bërë të ditur se MD-ja ka dërguar para organeve të drejtësisë mosveprimin e ish-ministres Dhurata Hoxha për shfuqizimin e një udhëzimi administrativ për kompensim të ekspertëve mjekoligjorë, që, sipas tij, kishte vazhduar edhe pse ishte i bazuar në një ligj që ishte shfuqizuar.
Në një konferencë për media të martën, Sallahu ka thënë se ish-ministrja Hoxha kishte injoruar propozimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës për këtë çështje dhe se për shkak të këtij mosveprimi “ekspertët mjekoligjorë janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK-ja në vlerë prej 785 mijë eurosh”. Në konferencë ai ka thënë se Qeveria Kurti është e angazhuar të luftojë secilin “keqpërdorim”, ndërkaq në komunikatën për media denoncimi flet për “abuzim të parasë publike si pasojë e shkeljeve ligjore”.
“Në vitin 2016, më 6 prill 2016, ka hyrë në fuqi ligji për Institutin për Mjekësi Ligjore. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin bazuar në ligjin paraprak. Më tutje, në vitin 2017, Këshilli Prokurorial i Kosovës, aso kohe me kryesues Blerim Isufaj, i kishte shkruar ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, lidhur me Udhëzimin nr. 07/2013 që rregullonte mënyrën e kompensimit të ekspertëve mjekoligjor të IML-së. Aso kohe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar ish-ministres Dhurata Hoxha, që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit, për shkak se i njëjti ishte bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar. Pavarësisht që në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial ia kishte tërhequr vëmendjen ish-ministres Dhurata Hoxha për kompensimin e jashtëligjshëm të ekspertëve mjekoligjor, e njëjta nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në mbrojtje të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit. Një letër e tillë thjesht ishte injoruar nga ish-ministrja. Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë prej 785.000 euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ nr. 07/2013 të vitit 2013 i cili është bazuar në ligjin e vitit 2010, e i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi”, ka thënë ai.
Sallahu ka thënë se udhëzimi për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të eksperteve mjeko-ligjorë është bazuar në Ligjin për Mjekësisë Ligjore të vitit 2010.
“Ligji i vitit 2010 për Mjekësinë Ligjore është shfuqizuar me Ligjin e ri për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, që automatikisht nënkupton se është abroguar edhe udhëzimi administrativ i vitit 2013. Për më tepër, ligji i vitit 2016 në nenin 19 e ka obliguar MD-në për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda afatit prej 6 muajsh, mirëpo tash jemi në vitin 2021 dhe një e gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur nga qeveritë paraprake. Kësisoj, edhe pas transformimit ligjor, Këshilli Prokurorial ka vazhduar ndarjen e mjeteve financiare ne mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjeko-ligjorë me udhëzimin i cili është i bazuar në ligjin që është shfuqizuar. Kjo kundërligjshmëri është përsëritur vit pas viti deri sot nga viti 2016 dhe vlera që është kompensuar kundërligjshëm arrin shumën prej 785.000 euro të buxhetit të shtetit. Për këtë ka qenë në dijeni edhe KPK, edhe ata që kanë përfituar jashtëligjshëm por edhe ish-ministrja Dhurata Hoxha”, ka thënë më tej Sallahu.
Sipas tij, zbrazëtira ligjore ka mundësuar mostransparencë e selektivitet nga ana e KP-së, “me ç'rast përmes komunikimeve elektronike jemi lajmëruar se individë të caktuar e të përzgjedhur (drejtpërdrejt pa kaluar kërkesa në IML në shkelje ligji), si ekspertë mjeko-ligjorë janë favorizuar duke u ftuar në vijimësi në më shumë raste për ekzaminime mjeko-ligjore, duke përfituar më shumë mjete sesa disa ekspertë të tjerë mjeko-ligjorë që janë diskriminuar”.
Ai ka bërë të ditur se është hartuar edhe drafti i ri i vendimit.
KOHA ka provuar të kontaktojë me Hoxhën, por kontakti me të ka qenë i pamundur të martën në mëngjes.