Arbëri

Kurti: Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimarrë ngjyrat e saj

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për koncertin e mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku performoi tenori i shquar Ramë Lahaj.

Lahaj kishte mbyllur më shkurt koncertin, duke njoftuar se i ka vdekur nëna.

Kryeministri Kurti në Facebook ka shkruar se Lahaj e mbylli koncertin, siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.

Kurti ka thënë se pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimarrë ngjyrat e saj dhe se interesimi i madh i qytetarëve mbrëma është edhe thirrje për aktivitete tjera kulturore e artistike.

“"Nëna vdiq sot", kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm "I huaji". Në sheshin "Skënderbeu", në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrënqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë. Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida... Di Tale Amor", “La forza del destino”, “Dio, che nell'alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”. Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda. Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike”, ka shkruar Kurti në Facebook.