Arbëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e sheh të nevojshëm vetingun

Descriptive Text

Drejtor i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti në një intervistë për “Betimi për Drejtësi’’, e ka vlerësuar si të nevojshëm procesin e Vetingut në sistemin e sigurisë, përfshirë edhe Policinë e Kosovës.

Mehmeti ka thënë se kjo do të ndikonte që qytetarët të kenë më shumë besueshmëri në këto institucione.

“Një veting në përgjithësi, i cili do kish më e ngritë të themi besueshmërinë të qytetarët, i cili kish me ngritë legjitimitetin e institucionit të qytetari për ne absolutisht është i mirëseardhur’’, ka thënë Mehmeti.

Ai ka shtuar se si institucion që gjatë gjithë kohës se punës edhe gjatë rekrutimit edhe gjatë fazave të ndryshme policët kalojnë në njëfarë kontrolli, qoftë nga inspektorati policor qoftë nga drejtoria e standardeve profesionale por, vetingu do të ndikonte që individë nuk duhet me qenë ose jo pjesë e policisë.

“Mund të përdoren modalitete të ndryshme të cilat eventualisht kanë dhanë rezultate qoftë në vende tjera, qoftë janë praktikat të cilat mund të jenë praktika ma të mira natyrisht, duke pas gjithmonë parasysh edhe specifikat qofte te vendit qofte të organizatës policore’’, është shprehur Mehmeti.

Vetingun po e shtynë përpara edhe Ministria e Drejtësisë.

Ky proces shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë që nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.

Ndër të tjera në këtë intervistë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në vend ka folur edhe rreth zgjedhjes së tij në këtë institucion, rreth ndërrimit të drejtorëve në njësi të ndryshme dhe shuarjen e task-forcës kundër korrupsion./BetimipërDrejtësi