Arbëri

Haxhiu-zyrtarëve: Mos hezitoni, sinjalizoni

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, sipas saj, adresimi i shkeljeve është shumë i rëndësishëm si në parandalimin e dukurive të tilla po ashtu edhe në adresimin e shkeljeve ligjore.

Haxhiu ka thënë se me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe së fundmi edhe të rregullores për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, e kanë kompletuar legjislacionin për të cilin thotë se është tejet i avancuar, e që garanton mbrojtje të sinjalizuesve, të qytetarëve të ndërgjegjshëm, të cilët nuk heshtin karshi dukurive negative.

“Njoftimi i zyrtarëve me të drejtat që ju garanton legjislacioni ynë është po ashtu një aspekt me shumë rëndësi, i cili mundëson zbatim të legjislacionit të kësaj fushe, rrjedhimisht mundëson sinjalizim. Në këtë javë mbajtëm sesione njoftuese për stafin e Ministrisë së Drejtësisë për të drejtat e sinjalizuesve, dhe i inkurajuam t’i raportojnë parregullsitë, vendosëm njoftime nëpër hapësira të Ministrisë, ku përveç njoftimit me të drejtat, i njoftuam stafin edhe me adresën ku mund të paraqiten shkeljet, përgatitëm dhe dërguam njoftime tek të gjithë zyrtarët e institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim.