1 perditesime
13:23

Deputetja e LDK-së: VV-ja po tenton t’i “rehatojë” militantët e vet në KOSTT

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka reaguar ashpër pas përjashtimit të mediave në raportimin e KOSTT-it, duke thënë se Vetëvendosja ka për qëllim dëmtimin e kësaj kompanie dhe punësimin e militantëve të vet, raporton Ekonomia Online.

“Unë si përfaqësuese e LDK-së normalisht që e kam kundërshtuar një gjë të tillë sepse ne në materiale nuk kam parë diçka konfidenciale që është dashur të fshihet nga mediat, dhe janë po këta në pushtet që kanë kundërshtuar përjashtimin e mediave dhe kanë pasur raporte të mira sa kanë qenë në opozitë. KOSTT-i është një ndërmarrje e suksesshme dhe qëllimi i tyre është me dëmtua këtë kompani, dhe të rehatojnë militantet e tyre”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Tutje ajo theksoi se brenda komisionit dhe raportimit të KOSTT po diskutohet për çështjet e brendshme organizative, por që sipas saj po shantazhohen bordet dhe kompanitë nga pozita.

“Po diskutojnë çështjet e brendshme organizative, kështu që jam e pajtimit për riorganizim, dhe mendoj që të gjitha diskutimet duhet të jenë të hapura sepse nuk jemi gjyqtarë në rast që ka ndonjë shkelje, dhe jo të shantazhojnë bordet sepse nuk jemi në komunizëm”, theksoi tutje ajo.

12:30

Nuk lejohen mediat gjatë raportimit të KOSTT-it, opozita: Kjo ndodh vetëm në vendet komuniste

(Ekonomia Online) - Në raportimin e bordit dhe menaxhmentit të NP KOSTT-it në Komisionin për Ekonomi, Ndërmarrësi, Industri dhe Tregti, nuk janë lejuar mediat të qëndrojnë brenda, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të këtij komisioni të udhëhequr nga deputetja Jeta Statovci, u propozua nga deputetja Mimoza Kusari-Lila që raportimi i KOSTT-it të jetë pa prani të mediave, me arsyetimin se në bazë të rregullores janë disa gjëra që duhet mbesin konfidenciale.

Në anën tjetër deputeti nga AAK, Pal Lekaj tha se është kundër mbylljes së raportimit për medie, dhe që sipas tij është e palogjikshme që të mbahet një raportim i tillë pa praninë e mediave.

Të njëjtën gjë sikurse deputeti Lekaj e tha edhe deputetja nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi e cila tha se nuk e sheh të arsyeshme që të mohohet para mediave një raportim i tillë, dhe që pas kësaj mbledhje do prononcohet edhe ajo për media.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se kjo kërkesë për mbylljen për mediat është e bazuar në rregullore dhe gjithçka do ju transmetohet më vonë edhe mediave.

Diskutimi ka vazhduar edhe më shume prapë nga deputeti Pal Lekaj, deputetja Valentina Rexhepi-Bunjaku dhe Kusari-Lila, ku deputeti Lekaj tha se vetëm në komunizëm mund të ndodh një gjë e tillë.Me gjashtë vota për u votua që mediat të largohen gjatë raportimit të KOSTT-it, dhe do lejohen vetëm për pamje.

Mbledhja ka vazhduar me pikën tjetër të rendit të ditës që ka të bëjë me punën dhe ligjin mbi shoqëritë tregtare duke propozuar këshilla dhe sugjerime kundrejt këtij ligji.

Deputeti Pal Lekaj ka pyetur lidhur me mbikëqyrjen e këtij ligji dhe zbatimit të saj.

“Na kishe jem nxënëse e ju profesorë, dhe është për të ardhur keq që ju me na tregu kush jemi”, ju drejtua Lekaj Kusarit-Lila.

Me gjashtë vota për miratohet projektligji me ndryshime mbi shoqëritë tregtare.