Arbëri

Tri rreziqe nga mbyllja e AKP-së

Një ditë pasi Qeveria propozoi një bord të AKP-së me mandat për ta mbyllur këtë institucion, ekonomistët kanë alarmuar se kjo më vete mund të bartë rreziqe juridike e ekonomike, e edhe ta cenojë qëndrueshmërinë fiskale të Kosovës. Të tillat nuk kanë qenë preokupim i deputetëve të të dyja kampeve politike, kur në Komisionin parlamentar për ekonomi kanë shqyrtuar propozimet e Qeverisë. Përplasja mes tyre ka qenë kryekëput për emrat që do ta bëjnë Bordin

Për një numër rreziqesh, përfshirë cenimin e qëndrueshmërisë fiskale të Kosovës, kanë alarmuar ekonomistët një ditë pasi Qeveria ia propozoi Kuvendit përbërjen e anëtarëve të rinj të Bordit të AKP-së, me mandat për ta shuar këtë institucion.

Krahas transferimit të AKP-së në agjenci brenda Qeverisë, Ekzekutivi synon ta krijojë Fondin Sovran për t’i marrë në pronësi asetet strategjike të shtetit.

Kujtim Dobruna, i cili është drejtor i Iniciativës Ekonomike për Kosovën, numëron sfidat dhe kompleksitetin që buron nga nacionalizimi i ndërmarrjeve shoqërore, që synohet nëpërmjet politikë së Qeverisë së re.

“Kalimi i tyre në pronë të shtetit nënkupton jo vetëm kalimin e aseteve, por edhe të përgjegjësive te Fondi Sovran, e me këtë te Qeveria e Kosovës”, thotë Dobruna. “Kjo më vete sjell shumë rreziqe, qoftë juridike apo ekonomike dhe mund ta rrezikojë edhe qëndrueshmërinë fiskale të Kosovës”.

Ai ka treguar se te AKP-ja ky rrezik nuk ka ekzistuar, pasi ka rikujtuar se mandati i AKP-së ka qenë i atillë që ajo ka qenë vetëm administratore e ndërmarrjeve shoqërore dhe përmes procedurave të saj ka mbrojtur Kosovën nga pretendimet kreditore dhe pronësore ndaj ndërmarrjeve shoqërore.

“Prandaj, gjithë ky kompleksitet tregon se para se të bëhen hapa të këtillë, duhen studime të detajuara”, insiston Dobruna. “Për shembull, deri më sot unë nuk kam parë ende një studim që adreson edhe rreziqet ekonomike, edhe financiare, edhe rreziqet juridike”.

Rreziqet ekonomike, financiare e juridike nga shuarja e AKP-së nuk kanë qenë preokupim i deputetëve të të dyja kampeve politike, kur në Komisionin parlamentar për ekonomi, të martën, kanë shqyrtuar propozimet e Qeverisë. Përplasja mes tyre ka qenë kryekëput për emrat që do ta bëjnë Bordin, tre nga të cilët janë identifikuar si të afërt me pushtetin.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike dhe kryesues i Komisionit, ka thënë se konfliktet me sektorin e industrisë, me “Trepçën” dhe me asetet nacionale të këtij ekipi që e ka propozuar Qeveria për anëtarë të Bordit të AKP-së, janë të mëdha.

“Problemi esencial politik, por edhe ekonomik për mua është që saktësisht kryesuesi i propozuar nga Qeveria Kurti ka konflikt të madh interesi me pozicionin që pretendon ta marrë nga Kuvendi”, ka thënë ai.

Kritika ka pasur edhe Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete e Lidhjes Demokratike.

“Tani po e emëroni një bord puro politik, ndërsa keni ardhur në pushtet me kauzën kundër prontos 1”, ka thënë ajo. “Tani jeni bërë pronto 2”.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet patën një justifikim pse anëtarët e bordit të ri duhet të jenë të lidhur me këtë parti, pasi morën kritika nga kolegët e tyre opozitarë.

“Arsyeja është sepse në kuadër të programit po propozohet transformimi radikal i procesit të privatizimit”, është kundërpërgjigjur Armend Muja, deputet i Vetëvendosjes. “Lëvizja nga e djathta ose kapitalizmi kronik, në qendrën e majtë, që do të thotë pushteti po mëton ta marrë pronën dhe me e menaxhu atë, përpara se ta integrojë sektorin privat”.

Por, pikërisht nacionalizimi i gjithë pronës shtetërore, për ekonomistë si Kujtim Dobruna, përbën politikë të gabuar.

“Fondet sovrane duhet të përbëhen nga asetet më të fuqishme, më vitale financiare të një vendi, e jo nga ndërmarrjet që janë buzë falimentimit, si për shembull nga Posta e Telekomi apo nga ndërmarrjet shoqërore me asete tashmë të zhvlerësuara apo nga ndërmarrje shoqërore të atilla që në pronësinë e vet kanë vetëm toka bujqësore”, ka thënë ai.

Dobruna, po kështu, ka theksuar se nuk është e qartë se si Qeveria do ta fitojë të drejtën juridike për të nacionalizuar këto prona shoqërore, pasi ka thënë se një mësymje e këtillë mund të bjerë ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Vetëvendosje, që tash është në pushtet, vazhdimisht ka kritikuar procesin e privatizimit, gjatë të cilit nga 2003-a janë shitur rreth 1 mijë e 800 prona, nga rreth 4 mijë sosh sa janë identifikuar për privatizim. Ato janë shitur për një vlerë rreth 760 milionë euro.