Arbëri

Komisioni diskuton për kriptovalutat, Kusari-Lila tregon pse s’po ndërhyn Policia në veri

Në kuadër Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi, Tregti, është diskutuar për nismën legjislative për kriptovalutat.

Kryesuesja e këtij komisioni Mimoza Kusari-Lila, ka shpjeguar arsyen se pse Policia e Kosovës nuk ndërhynë në veri të vendit në lidhje me dyshimet se energjia elektrike në këtë pjesë po keqpërdoret për prodhimin e kriptovalutave, raporton Ekonomia Online.

Tutje Kusari-Lila tha se bazuar në planin e punës kanë marrë vendim për krijimin e grupit punues për hartimin e projektligjit për kriptovaluta, të udhëhequr nga vet ajo dhe nga disa deputetë të këtij komisioni.

“Çështja e mospagesës së rrymës në veri, diskutimi i jonë i parë sa i përket rrymës ka qenë se pse me u rrit rryma në verë kur kjo nuk rregullohet kështu e vetmja arsye që është thënë ka qenë se ato banesa nuk janë të banueshme, janë vetëm për kriptomining. Nëse ia merr pajisjet për shfrytëzim të energjisë, të thotë pse s’po ia merr edhe kojshisë makinën e teshave ta marr shembull. Ne kemi menduar që kjo do duhej të jetë e rregulluar që ne të kemi mundësi të reagojmë kur kemi këso lloj keqkuptime”, tha ajo.

Në kuadër të diskutimeve, zëvendësguvernatori në Bankën Qendrore, Sokol Havolli, tha se për BQK-në ka qenë e rëndësishme që qytetarët të jenë të informuar me rreziqet e mundshme dhe qëndrueshmërinë e ekzistencës të këtyre aseteve. 

Në anën tjetër Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, tha se vëmendja duhet të jetë tek rregullorja jo tek direktiva, dhe të ketë një qasje ndryshe dhe të bëhet një draft konform standardeve.

Deputetja Jeta Statovci nga VV-ja, tha se ka shumë rëndësi që tek çështja e kriptovalutave të jetë ndihmë ligjore për qytetarët dhe të dihet kategorizimi i tyre. Anëtari tjetër Driton Hyseni tha se a ka informacione për pikat ku bëjnë shërbime monetare dhe që të mos jenë pasiv si komision për të rregulluar këtë çështje./EO