Arbëri

Mungon terapia që kushton mijëra euro, e nevojshme për pacientët me kancer

Foto: Koha

Valë e re e mungesave të shumta të barnave të listës esenciale ka nisur në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ndonëse ky institucion nuk ka treguar se në çfarë shkalle është furnizimi, pacientët prapa kamerave kanë treguar që kohët e fundit është shtuar lista me barna që detyrohen t’i blejnë.

Në disa raste mungojnë edhe barna shumë të kushtueshme, vlera e të cilave shkon deri në 2 mijë euro.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, përmes një përgjigjeje me shkrim ka folur për mungesën e këtij bari.

“Klinika e Onkologjisë për momentin është e furnizuar me rreth 70-75% të barnave të Listës esenciale dhe pacientet në cikle të rregullta e kanë marre terapinë e nevojshme, ndërsa ka 10 ditë që nuk e kemi një ilaç biologjik te quajtur Trastuzumab, e i cili përdoret te pacientet me kancer të gjirit Her2 pozitiv (ilaç ky që ka kosto të lartë). Sapo të furnizohet Klinika e Onkologjisë me këtë ilaç, ne do ta aplikojmë te pacientet e caktuar, ndërsa furnizimi i Klinikes varet nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së”, ka thënë Kurtishi.

Por, Trastuzumabi nuk është bari i vetëm që mungon në këtë klinikë.

KOHA ka parë raporte mjekësore të tjera të pacientëve, në të cilat shënohen se cilat barna mungojnë, qysh një muaj.

Në këtë raport është vendosur një minus afër emrit të ilaçit që nuk e ka SHSKUK-ja. Nga pesë ilaçe sa i janë përshkruar, mungojnë tri. Kjo ka bërë që ky pacient tash e dy javë të mos e marrë terapinë për trajtimin e kancerit.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në SHSKUK, e edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, për mungesën e barnave, por ata nuk janë përgjigjur.

Rritja e numrit të barnave që mungojnë në Barnatoren Qendrore e që qytetarët detyrohen t’i paguajnë, sipas burimeve, ka të bëjë me vonesat në rishikimin e buxhetit.

Ndonëse është përfunduar rishikimi i buxhetit, ai ende nuk i është deleguar ShSKUK-së. Me rishikimin e buxhetit janë ndarë 15 milionë euro për këtë institucion. Rreth 8 milionë euro do të përdoren për barna e material shpenzues të Listës esenciale.

Ndonëse sipas burimeve të KOHËS, të mërkurën do t’i alokohen mjetet për barna SHSKUK-së, pacientët që janë dëmtuar nga mungesa e barnave në spitale këto kohë nuk do të kompensohen. Praktika e kompensimit të pacientëve ka qenë vite më parë, por për shkak të dyshimeve për abuzim në favor të kompanive farmaceutike, një gjë e tillë ishte ndërprerë nga MSH-ja.