Arbëri

Në këtë mandat, Qeveria nuk planifikon vetingun mbi gjyqtarë e prokurorë

Brenda mandatit që sivjet ka nisur, Qeveria Kurti nuk planifikon ta përmbyllë vetingun në sistemin e drejtësisë. Planet që përshkruajnë afatet kohore të realizimit të këtij procesi parashohin që tek në vitin e pestë të bëhet verifikimi i gjyqtarëve e prokurorëve të Themelores dhe Apelit. Në shoqërinë civile e kanë kritikuar këtë dinamikë, por në Ministrinë e Drejtësisë e kanë lënë të hapur mundësinë e ridizajnimit të këtyre afateve

Qeveria Kurti e ka deklaruar si prioritet vetingun në sistemin e drejtësisë, por mbështetur në dokumentet që i ka hartuar, nuk synon që llupën mbi pjesën më të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve ta vërë gjatë këtij mandati.

Planet e zbatimit për të pesë opsionet për vetingun, që jep Koncept-dokumenti të cilin Ministria e Drejtësisë e ka vënë në konsultim publik, të përbashkët kanë kohën kur në masë duhet të zbatohet vetingu.

Mbështetur në opsionin që parasheh ndryshimet kushtetuese, nuk planifikohet ndonjë aktivitet në vitin e parë, përpos hartimit dhe përcjelljes së amendamenteve për miratim në Kuvend. Në vitin e dytë planifikohen hartimi dhe përcjellja për miratim e Ligjit për veting, si dhe ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor e edhe në atë për Këshillin Prokurorial. Po kështu, planifikohet që në këtë vit të bëhen edhe ndryshime në Ligjin për deklarimin e pasurisë.

Në vitin e dytë, mes të tjerash, është shprehur synimi për t’i propozuar anëtarët e Organit fillestar kushtetues për veting e edhe për ta realizuar verifikimin e tyre, e edhe propozimi dhe verifikimi i anëtarëve të propozuar të paneleve të Komisionit të veçantë kushtetues për veting, por edhe atyre të mekanizmit të ankimimit.

Mbështetur në dokument, në vitin e katërt do të bëhet vetëm verifikimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial dhe kandidatëve për këta këshilla, si dhe i së paku pesë 5 gjyqtarëve të Supremes.

Ndërkaq, tek në vitin e pestë parashihet verifikimi i gjyqtarëve të tjerë të Supremes, gjyqtarëve të Apelit, i atyre të gjykatave themelore, si dhe verifikimi i drejtorit të Sekretariatit të KGJK-së, administratorëve të gjykatave dhe drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor.

Në vitin e pestë është planifikuar edhe verifikimi i prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së dhe administratorëve të prokurorive, si dhe verifikimi i kryeprokurorëve dhe i prokurorëve të prokurorive themelore.

Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë, thotë se në dokument është parashikuar vetëm në terma të përgjithshëm planifikimi i punës.

“Ky planifikim nuk është final dhe aktualisht jemi duke i analizuar mendimet e ekspertëve, për të bërë një planifikim real dhe në terma më afatgjatë, për secilin nga opsionet e propozuara”, thotë ajo.

E, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar këtë dinamikë të përshkruar në Koncept-dokument.

“Përcaktimi që në vitin e pestë do të përfundojë ai vetingu masiv ndaj gjithë gjyqtarëve të tjerë është planifikim i dobët, për arsye se është e palogjikshme nëse themi se në vitin e katërt ne do ta kryejmë verifikimin për 20 apo 30 gjyqtarë e aq edhe prokurorë, dhe më pastaj për vitin e pestë ne do të arrijmë që këtë ta bëjmë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që ndoshta janë rreth 700”, thotë ai.

Në Këshillin Gjyqësor dhe në atë Prokurorial kanë deklaruar mospajtim për vetingun. Ndërkaq, opozita nuk ka dhënë sinjale se mund t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese për këtë proces.

E, në ekzekutiv kanë thënë se vetingun do ta realizojnë, duke nisur nga nivelet më të larta në sistem.

“Pas ndryshimeve legjislative dhe themelimit të mekanizmave që do ta zhvillojnë procesin e vetingut, do të fillohet me zhvillimin e vetingut për anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, dhe më pas do të vijohet me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht shërbejnë në sistem, duke u nisur nga nivelet më të larta hierarkike”, thotë zëvendësministrja Nita Shala. “Duhet ta kemi parasysh që vetingu është një reformë komplekse, por që po punojmë që ta realizojmë në mënyrë të drejtë, të paanshme, gjithëpërfshirëse e profesionale, në çka edhe jemi të fokusuar”.

E, në shoqërinë civile druajnë se nëse vetingu nuk bëhet me ndryshime kushtetuese, ka rrezik që me ndërrimin potencial të pushtetit të shembet e gjithë puna e bërë për këtë proces.

“Kjo është edhe njëra prej arsyeve pse kërkohet që vetingu të jetë me ndryshime kushtetuese, për t’i dhënë edhe siguri procesit të vetingut, që i njëjti të vazhdojë, pa marrë parasysh se a ndërrohen ose jo pushteti, qeveria apo përbërja e Kuvendit”, thotë Gzim Shala.

Kosova vazhdimisht është kritikuar për sistem të drejtësisë të ekspozuar ndaj ndikimeve politike.

E, sipas Koncept-dokumentit të Qeverisë, përjashtimi është masa më ekstreme për gjyqtarë e prokurorë që s’e kalojnë vettingun ose refuzojnë t’i nënshtrohen këtij procesi.

Kushtetuta nuk e liston moskalimin e vetingut si arsye për përjashtim. Por, drafti i Koncept-dokumentit mbi këtë politikë përmban një interpretim, sipas të cilit e njëjta masë mund të shqiptohet për këto dy kategori punonjësish në sistemin e drejtësisë.

“Në përputhje me instrumentet ndërkombëtare, propozimi për shkarkim duhet të vijë vetëm si rezultat i shkeljeve më serioze të detyrës. Në gjuhën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës parashihet termi ‘mosrespektim i rëndë i detyrës’. Është e nevojshme që Ligji për veting të detajojë pikërisht përmbajtjen e këtij termi dhe të listojë shkeljet serioze që do të përbënin këtë shkelje”, thuhet në draftin e këtij Koncept-dokumenti. “Gjetja e mangësive serioze në integritetin e gjyqtarit, siç mund të jenë lidhjet me grupe kriminale, shkëmbimi i favoreve/dhuratave me ta, njëanshmëria politike e dëshmuar përmes vendimeve gjyqësore/ndjekjes penale që ai i ka marrë, apo performanca aq e ulët sa rrezikon të drejtat e palëve në procedurë, apo pasuria e pajustifikueshme etj., mund të jenë disa nga këto shkelje”.

Në këtë rrethanë, inicimin për shkarkim do ta bënte mekanizmi i cili e realizon vetingun, ndërsa propozimin te presidenti do ta dërgonin Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

Por, këshillat do të anashkaloheshin në rast se vettingu do të realizohej nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Sipas dokumentit, ndryshimet do ta kthenin në formalitet shkarkimin nga ana e kreut të shtetit.

Drafti i Koncept-dokumentit lejon mundësinë e dorëheqjes së gjyqtarëve e prokurorëve nëse nuk duan t’i nënshtrohen vetingut. Në një rast të këtillë, atyre do t’u merrej e drejta e aplikimit për punë në gjykata e prokurori në 15 vjetët në vijim.

E, pasoja më të mëdha parashihen për ata që refuzojnë të vetohen.

“Çdo formë e refuzimit të bashkëpunimit të subjektit për t’iu nënshtruar vetingut do të ketë pasojë shkarkimin nga pozita, si dhe ndalimin për të aplikuar në pozitën e gjyqtarit, prokurorit, kryeprokurorit dhe anëtarit të këshillave, si dhe do të shqyrtohet ndalimi i funksioneve të caktuara publike”, thuhet në dokument.

Nëse vetingu bëhet vetëm me ndryshime ligjore, propozimet për shkarkime kërkohet të shkojnë te presidenti nëpërmjet Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Dokumenti përmban edhe masa më të buta. Kur evidentohen mangësi vetëm në performancë, të cilat konsiderohen të tejkalueshme, si masa mund të përdoren edhe trajnimi i detyrueshëm për gjyqtarët ose prokurorët, apo edhe ulja në detyrë.