Në kohën kur Kosova ka nisur të regjistrojë më shumë raste nga COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik edhe njëherë ka bërë thirrje për vaksinim, derisa ka dhënë përgjigje në disa prej pyetje më të shpeshta që shtrohen nga qytetarët për procesin e vaksinimit.
IKSHKP-ja në pyetjen lidhur me efikasitetin e vaksinave ka thënë se ‘efikasiteti i vaksinës prej 95%, e ulë mundësinë e prekjes nga COVID-19 për 95%, krahasuar me personat që nuk e kanë marrë vaksinën. Këto rezultate vijnë pas dozës së dytë, e cila e rrit përgjigjen imunitare të organizmit” thotë IKSHPK.
Instituti ka thënë se qëllimi kryesor i vaksinimit është t'i parandalojë vdekjet dhe infeksionet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.
Sipas IKSHPK-së ‘personat e vaksinuar kanë më pak gjasë se sa ata të pa vaksinuar të transmetojnë infeksionin tek personat e tjerë'.
"Në një studim të kryer në Izrael, të vaksinuarit me vaksinën Pfizer/BioNTech kishin për 90% rrezik më pak për infeksion asimptomatik, krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar", thuhet tutje.
Ndërsa në pyetjet lidhur me efektet anësore të vaksinave kundër COVID-19, përgjigja e IKSHPK-së është se "efektet anësore të lehta janë ndjeshmëria në vendin e injektimit, dhimbje në vendin e injektimit , dhimbje koke dhe lodhje, dhimbje të muskujve dhe shqetësim, temperature, dhimbje të kyçeve, mundim, të vjella, diarre, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, të shoqëruara me ethe, ënjtje të nyjave limfatike, ulje e oreksit, marramendje, përgjumje, djersitje e tepërt, kruajtje dhe skuqje e lëkurës. Efektet tjera anësore janë shumë të rralla: mpiksja e gjakut, miokarditi, perikarditi".
IKSHPK gjithashtu ka bërë të ditur se nëse personi pacienti është i sëmurë dhe ka shenja të sëmundjes aktive vaksinimi duhet të shtyhet.
“Vaksinimi duhet të shtyhet te njerëzit që kanë çfarëdo sëmundje akute, mundësisht deri sa të shërohen. Kjo vlen edhe COVID-19, por edhe për sëmundjet e tjera. Megjithatë, njerëzit me sëmundje kronike dhe simptoma të qëndrueshme mund të marrin vaksinat (p.sh. personat me sëmundje obstruktive kronike të mushkërive)”
IKSHPK-ja ka dhënë përgjigje edhe sa i përket efikasitetit të vaksinës tek varianti Delta. “Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë.Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 60-80% pas të dytës” thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Ndërsa në pyetjen se kush h preket më së shumti nga ky variant IKSHPK thotë se më të rrezikuarit janë personat e pavaksinuar.
“Në SHBA, nga rastet e vdekjeve të raportuara në dy muajt e fundit, gjithsej 99.5% e personave të vdekur ishin të pavaksinuar”.
Në pyetjen se “çka ndodh nëse nuk vaksinohemi” IKSHPK ka shkruar se “nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.
Në linkun e mëposhtëm gjeni pyetjet më të shpeshta rreth vaksinimit për të cilat IKSHPK-ja ka dhënë përgjigjet:
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.