Arbëri

Shabani: Në takimin në Kroaci kishte tendenca për hapjen e frontit të jugut në Kosovë

Muharrem Shabani, pjesëmarrës në takimin e Stubiçke Toplice dhe delegat i deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, ka thënë se në takimin e Kroacisë kishte tendencë për hapjen e frontit të jugut në Kosovë.

Shabani duke komentuar deklaratat e krerëve politikë, përfaqësuesve të partive politike të asaj kohe e aktivistëve të ndryshëm shqiptarë nga Kosova për rezistencë në takimin në Stubiçke Toplice, ka thënë se lufta ishte e përgatitur dhe ishte e pashmangshme.

“Mund të gabojë por ka qenë ndoshta edhe një tendencë e njësive federale që ta ndajmë përgjegjësinë dhe ta ndajmë barrën e sulmit në atë kohë që të hapej fronti i jugut. Lufta ishte e përgatitur, ishte gjë e pashmangshme por kishte tendenca qe të përhapej ky front edhe në Kosovë. Kur të marrësh një vendim me rëndësi dhe që mund të ketë pasoja për popullatën kam konsideruar se duhej analizuar mirë e mirë jo vetëm në prizmën e një njeriu. Unë jam deklaruar që për këto si Kuvend nuk jam i gatshëm të qojë gishtin dhe të votojë në Kuvend. Kishte një dozë frike se pastaj do të jenë pasojat më të rënda në frontin e jugut nëse hapet. Kemi menduar që koha ishte tepër e rrezikshme, që do të ketë tepër pasoja”, ka thënë Shabani në “Desku” të KTV-së.

Ndërkaq, duke folur për Kuvendin e Kosovës të vitit 1990, Shabani ka thënë se me qëllim që të mos ndalej veprimtaria e Kuvendit, u vendos që të veprohej në ekzil. Sipas tij, shumë delegatë të saj dolën në shtetet e tjera prej nga zhvilluan aktivitetet e tyre politike.

“Ajo u mbajt dhe pas asaj me qëllim që të mos ndalohet në tërësi veprimi i atij Kuvendi u mor vendimi që të dilet jashtë dhe të veprohej në ekzil. Pjesa dërmuese e delegatëve pas 7 shtatorit kanë dalë në Slloveni dhe në Kroaci por ka pasur që kanë dalë edhe në viset e tjera, në grupe apo një nga një, dhe nga atje kanë vazhduar aktivitetin e veprimit”, ka thënë Shabani.

Më 19 dhe 20 janar të vitit 1991, në qytezën kroate Stubiçke Toplice, ishin mbledhur krerë politikë, përfaqësues partish politike dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe nga rajone të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, me qëllim që të arrinin një konsensus gjithëshqiptar në synim dhe veprim, në kohën kur Jugosllavia i numëronte ditët e fundit të saj.

Desku i KOHËS ka paraqitur pjesët e mbledhjes në dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”.