Arbëri

Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës

Gjermania vazhdon të jetë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, gjatë një takimi që pati sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Berger ka ngushëlluar Osmanin për tragjedinë e së dielës në Kroaci, ku vdiqën dhjetë persona pas aksidentit të autobusit të linjës Frankfurt – Prishtinë.

“Ai e ka vlerësuar pozitive qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar zhvillim ekonomik dhe përafrim të Kosovës me BE-në. Sipas tij, Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai, gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve”, thuhet nga Presidenca.

Presidentja Osmani në anën tjetër ka shprehur falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë. Ajo për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë se janë përmbushur gjitha kriteret dhe nuk ka arsye për vonesë. Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, Osmani ka thënë se prioritet për Kosovën duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke.