Në emisionin “Desku” të KTV-së, sonte prej orës 20:10 mund të ndiqni pjesën e dytë të materialit dokumentar “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”.
Xhirimi ekskluziv, pjesë të të cilit janë dhënë edhe të martën mbrëma, është bërë nga takimi i përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, mbajtur më 19 dhe 20 janar 1991, në Stubiëke Toplice të Kroacisë. Aty, Ibrahim Rugova, Mahmut Bakalli, Fehmni Agani, Veton Surroi, Ali Aliu, Ilaz Ramajli, e shumë përfaqësues tjerë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, janë mbledhur me synimin që të gjejnë konsensus rreth synimeve dhe veprimeve në kohën kur Jugosllavia ishte në prag të luftërave dhe shkatërrimit.
Tema kryesore ishte nëse rezistenca paqësore, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ibrahim Rugova, ishte strategjia më e mirë për shqiptarët, apo nëse ajo duhet zëvendësuar me një rezistencë aktive, madje edhe të armatosur.
Debate janë bërë edhe nëse shqiptarët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet që do t’i organizonte Serbia, dhe nëse përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në viset tjera jashtë Kosovës do të duhej të përfshiheshin në aktivitetet në Kosovë.
Xhirimet që shfaqen në “Desku” janë pjesë të materialit rreth 8-orësh, i cili në tërësi do të shfaqet në Premiumin e koha.net, për parapaguesit tanë, javën e ardhshme.