Arbëri

600 raste të dhunës në familje brenda katër muajve

Nga janari deri në fund të muajit prill në Policinë e Kosovës janë raportuar 600 raste të dhunës në familje, raporton Ekonomia Online.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online ka bërë të ditur se veç në muajin prill janë paraqitur 206 raste të dhunës.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, ku vetëm në vitin 2021 në nivel vendi në muajin janar janë 169 raste, muajin shkurt 148, mars 168 ndërsa në muajin prill 206 raste”, ka deklaruar policia.

Sipas Policisë, qasja e tyre ndaj këtyre rasteve ka bërë që ato të raportohen më shpesh, ku vetëm gjatë vitit 2020 janë raportuar 2 069 raste, shumë raste më shumë krahasuar me vitet e kaluara.

“Qasja e tillë e policisë karshi rasteve të dhunës në familje, vetëdijesimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i rasteve më seriozitet ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, psh. në vitin 2017 janë raportuar 1 269 raste, në vitin 2018 janë raportuar 1 541 raste, në vitin 2019 janë raportuar 1 915 raste dhe në vitin 2020 janë raportuar 2 069 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ekspertët shprehen të shqetësuar nga kjo dukuri, e që sipas tyre institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Sociologu Ferdi Kamberi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dhuna në familje ndikon në personalitetin e fëmijëve, dhe nga kjo ata rriten në ambiente të dhunës, e që pasojat i shohim më pastaj.

“Dhuna në familje ndikon edhe në personalitetin e fëmijëve dhe në këtë segment ata do të edukohen do të rriten në ambiente të dhunshme në të cilat mund të kenë pasoja dhe si shoqëri do të kemi probleme. Nëse nuk merren masa parandaluese padyshim që atëherë gjëra të tilla do të mund të marrin edhe konotacione negative dhe pastaj kjo mund të paraqes edhe probleme të mëdha për shoqërinë kosovare”, ka thënë Kamberi.

Kamberi ka theksuar se për komunitetin e sociologëve, por edhe për shoqërinë në përgjithësi është një fenomen shqetësues që sjell një situatë të vështirë.

“Padyshim që ky fenomen është shqetësues jo vetëm për neve si komunitet i sociologëve, por në përgjithësi për shoqërinë sepse një shoqëri e cila rritet dhe zhvillohet me dhunë padyshim që më pas do të gjendet në një situatë të vështirë”, ka theksuar ai.

Ndër faktorët kryesorë ai thotë se janë faktori socio-ekonomik, përdorimi i alkoolit, substancave narkotike dhe mosmarrëveshjet e ndryshme.

“Mendoj që ka shumë faktorë, janë faktorët socio-ekonomik, janë faktorët individual përfshirë përdorimin e alkoolit, substancave narkotike dhe padyshim që janë edhe mosmarrëveshjet e ndryshme të cilat prodhojnë situata konfliktuoze dhe mosmenaxhimi adekuat i konfliktit brenda për brenda familjeve për pasojë prodhon edhe dhunën e cila shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme”, është shprehur Kamberi

Sipas tij, institucionet duhet të punojnë më shumë në gjithëpërfshirje sa i përket kësaj teme.

Psikologu Rron Kastrati ka thënë se dhuna në familje ka marrë hov të madh e që shfaq pastaj probleme nga më të ndryshmet, duke nxitur konflikte dhe destabiliim të gjendjes së shoqërisë.

“Në cilësinë e psikologut mendoj që dhuna në familje përbën një sërë problemesh me një mori faktorësh që pastaj ndikojnë në shfaqjen e dhunës në familje pasi që kjo nënkupton cenim të drejtpërdrejtë të integritetit të mirëqenies fizike, sociale, ekonomike e psikologjike. Dhuna në familje ka marrë një hov të madh në shfaqjen e disa problemeve brenda familjes, si në krijimin e konflikteve dhe faktorëve të ndryshëm që pastaj destabilizojnë edhe gjendjen e shoqërisë dhe shëndetin publik”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, institucionet duhet të jenë të fokusuara në parandalimin e kësaj dukurie dhe për të krijuar një stabilitet në shoqëri, sepse siç tha, problemet nga dhuna në familje sjellin pasoja të mëdha.

“Institucionet tashmë janë të fokusuar përmes direktivave që ta prandalojnë këtë dukuri, dhe që pastaj edhe problemet aktuale të krijojnë një stabilitet në shoqëri. Problemet më të shpeshta që dhuna në familje i shkakton dukshëm është probleme me gjumin, me stomakun, dhimbje koke dhe të tjera, por që këtu përfshihen edhe faktorët e stresit”, ka theksuar ai./EO