5 perditesime
21:29

UP-ja ka ndarë vetëm 1% të buxhetit për hulumtime shkencore

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se Këshilli Drejtues i UP-së ka marrë vendim që të ndajë 1% të buxhetit të Universitetit për ta ndihmuar stafin akademik për të bërë hulumtime.

Një ndarje të tillë, rektori Sahiti e ka arsyetuar me shkurtimet buxhetore që ka bërë Qeveria e Kosovës për shkak të pandemisë.

“Këshilli Drejtues ka marrë vendim që 1% të buxhetit të Universitetit për ta ndihmuar stafin akademik për të bërë hulumtime, ky është buxheti që re kemi, jo buxhet shtesë. Kemi pasur edhe shkurtime buxhetore nga Qeveria e arsyetuar me nevojat e pandemisë diku rreth 4 milionë euro. Kjo e ka reduktuar mundësinë e UP-së për ta zgjeruar veprimtarinë kërkimore shkencore. Ky është një veprim simbolik për të dërguar një mesazh të vullnetit të mirë që të provojmë të ndihmojmë stafin të punojë më shumë në atë fushë. Synimi është që në bashkëpunim me partnerë dhe në bashkëpunim me Qeverinë të provojmë t’i rritim ato fonde”, ka thënë Sahiti në "Desku" të KTV-së.

21:19

Ilazi: Çdo shkelje e rekomandimeve do të shoqërohet me heqje akreditimi

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Hasnije Ilazi, ka thënë se çdo shkelje e rekomandimeve të Agjencisë së Akreditim dhe KSHC-së do të shoqërohet me heqjen e akreditimit.

Ilazi ka thënë se deri tash Agjencia ka pasur mungesë të stafit, ndërsa tash janë në procedurë të pranimit të nëntë anëtarëve të rinj, që do të merren me monitorim kryesisht.

“Është e vërtetë se nuk ka qenë në nivel. Një nga arsyet ka qenë mungesa e stafit, është diçka që është cek edhe në raportin e ENQA-s. Kemi staf minimal me të cilin operon Agjencia, e që tërë kohën merret me letra e procedura të akreditimit. Paradoks ka qenë deri tash se një institucion ose program që nuk është akreditu në afat, ka mundur të aplikojë sërish pas tre muajve. Për tre muaj çfarë cilësie ka mundur të ngrihet në këtë institucion. Tash është rritur numri i punëtorëve në agjenci, është në procedurë pranimi i nëntë anëtarëve të rinj, kryesisht të orientuar drejt monitorimit. Edhe neve na lehtëson këtë urgjencën e kryerjes së procedurës së akreditimit më 27. Në çdo moment, për çdo shkelje të rekomandimeve të ekspertëve, të AKA-së dhe KSHC-së, që janë kusht për akreditimin, në çdo moment kur monitorimi tregon për shkelje, kemi të drejtë me revoku vendimin e me kthy prapa procedurën e akreditimit. Është një përparësi. Institucionet do të obligohen të bëjnë një strategji për implementimin e rekomandimeve, që do të përcillen në çdo hap nga Agjencia. Së paku një herë në semestër do të ketë monitorim, ndërsa mund të ndodh më shpesh”, ka thënë Ilazi në Desk të KOHËS.

20:45

Vehapi thotë se veçse janë vonë në procesin e akreditimit

Prorektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, ka thënë se veçse është vonuar procesi i akreditimit të Universiteteve nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Vehapi ka thënë se për shkak të kësaj vonese, është e pamundur t’u tregohet gjithë studentëve në Kosovë ofertat për regjistrimin e një programi të caktuar.

‘’Realisht nuk duhet ta mohojmë faktin që jemi vonë në proces. Këtë po e them prej përvojës që nga viti 2009. Këto procese janë përfunduar në fillim të korrikut në të kaluarën. Vonesat nënkuptojnë një agjentë të re dhe programe të reja. Studentëve të rinj është e pamundur t’u tregohet ofertat e programeve të reja pas kësaj vonese. Vonesa na shkakton telashe në proces. Ekziston edhe një rregullativ që i përkufizon datat kur duhet të regjistrohen studentët të rinj. Por në këtë pikë mund të koordinohen Ministria, Bordi’’, ka thënë Vehapi në ''Desku'' të KTV-së. 

 

20:41

Ilazi: Nuk mendoj që viti i ri akademik do të fillojë me vonesë

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka thënë se nuk mendon që viti akademik universitar 2021/22 do të nisë me vonesë.

Ilazi ka thënë se është diskutuar tanimë edhe me stafin ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë që është urgjente që të përfundojë sa më shpejtë akreditimi i UP-së dhe kolegjeve private.

“Nuk mendoj që viti akademik do të fillojë me vonesë. Ne kemi insistuar dhe kemi diskutuar tanimë edhe me stafin ndërkombëtar që është gjithsesi urgjente dhe që duhet gjithsesi të përfundojë akreditimi gjatë mbledhjes që do të mbahet dhe shpresoj që do të ndodhë kështu”, ka thënë Ilazi në "Desku" të KTV-së.

Sipas saj, anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit janë për herë të parë anëtarë në Këshill dhe se ata kanë qenë të kujdesshëm në aspektin e akreditimit.

20:31

Sahiti: Vonesa në akreditimin e programeve e ka sjellë UP-në në pozitë të palakmueshme

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se vonesat në akreditimin e programeve e kanë sjellë UP-në në një pozitë të palakmueshme.

Sahiti në Desk të KOHËS ka thënë se asnjëherë në 20 vjet të fundit, me përjashtim në vitin e kaluar shkaku i pandemisë, nuk ka ndodhë që të mos shpallet konkursi më së voni deri më 18 korrik.

“Realisht vonesa që është bërë në akreditimin e programeve e ka sjellë Universitetin e Prishtinës në pozicion bajagi të palakmueshme. Askush nga ne nuk ka pritur të ketë vonesa këtë vit. Kemi dëgjuar diku nga prilli-maji, zyrtar të Agjencisë së Akreditimit, drejtorin e Agjencisë, që ka deklaruar se këtë kanë filluar madje para kohe me procesin e vlerësimit të programeve, me siguri që të sigurohemi që procesi i akreditimit të përfundohet me kohë dhe të mundësohet hapja e konkurseve me kohë. Përkundër kësaj, ne jemi të vetëdijshëm, praktikisht para një fakti, se Agjencia nuk arriti të akreditonte programet që të na mundësonte ne të hapnim konkursin në kohë e që zakonisht ka qenë muaji korrik. Zakonisht fillimi i korrikut, e më së voni ka shpall konkurs për nivelin bachelor më 18 korrik. Prandaj në këto 20 vjet të fundit, nuk ka ndodhë ndonjëherë që UP-ja të mos shpallë konkurs më së voni më 18 korrik, me përjashtim të vitit të kaluar, ku gjithë e dimë se ka pasur vonesa shkaku i pandemisë”, ka thënë Sahiti.

20:27

Ilazi: 227 programe janë në pritje të akreditimit

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka thënë se janë 227 programe të Universiteteve që janë në pritje të akreditimit, ndërsa akreditimet institucionale janë trajtuar, ku nga 11, dy prej tyre janë kthyer te rekomandimi i ekspertëve.

Ilazi ka theksuar se më 27 korrik do të jetë mbledhja e radhës KSHC-së, derisa ka kërkuar nga anëtarët ndërkombëtarë të jenë prezent që të kryhet procedura e akreditimit të programeve sa më shpejt.

‘’Plotësimi i Këshillit me anëtar të rinj ka ndodhur më 17 qershor. Kjo ka qenë një periudhë para ratifikimit para pesë/gjashtë muajve. Tash kur kemi ardhur kanë qenë 239 programe institucionale, ka qenë një material shumë voluminoz, që është dashur të lexohet në një periudhë të shkurtër, ka qenë një material i cili është dashur të trajtohet shpejt. Sipas legjislacionit në fuqi në një farë forme jemi të detyruar ta përfillim rekomandimin e ekspertit. Kur e kemi pasur mbledhjen e parë e kemi pas akreditimin institucional, kanë qenë disa kontradikta brenda vet materialit. Nuk kemi mundur të kalojmë në sy të mbyllur, duke u mbështetur vetëm në rekomandime. Akreditimet institucionale i kemi trajtuar më 7 korrik, 11 kanë qenë gjithsej, dy i kemi kthyer te ekspertet , disa janë akredituar, disa jo. Sa i përket programeve, janë 227 që presin akreditimin. Edhe aty kemi rekomandimet e ekspertëve. Përafërsisht 12 % nuk akreditohen programet. Ne do të kemi mbledhjen e radhës më 27 korrik. Kam apeluar te anëtarët ndërkombëtar që të jenë prezent që të kryhet kjo procedurë dhe pastaj të fillojmë me një farë procedure normaliteti’’, ka thënë Ilazi në ‘’Desku’’ të KTV-së.

Universiteti i Prishtinës ende nuk e ka hapur afatin për pranimin e studentëve të rinj, për shkak të vonesës së procesit të akreditimit.