Arbëri

Auto-taksitë thonë që janë të rrezikuar në punën e tyre

Për të shfaqur pakënaqësitë e tyre, auto-taksitë kanë protestuar para Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Përkundër që janë të kontraktuar për të shfrytëzuar hapësirën para Aeroportit, ata thonë që janë edhe të kërcënuar nga taksitë ilegale.

“Jo më shumë se para dy ditësh është plagosur taksisti ynë me thikë nga një taksist ilegal duke mbrojtur të drejtën e vet. Taksistët ilegalë janë bërë agresivë, të cilët sulmojnë fizikisht taksistët tanë. Policia nuk ka marrë asnjë hap, shteti nuk ka vënë drejtësi”, tha Meqan Balaj, anëtar i bordit, “Ulpiana”.

Shton se taksat që i paguajnë Aeroportit të Prishtinës janë të larta. Balaj e cilëson këtë si zhvatje.

“Na vjedhin taksitë ilegale dhe na kërcënojnë jetën. Na vjedh Aeroporti në mënyrë arbitrare ose në mënyrë të imponuar. Pra, ose të paguani nga 60 euro secili taksistë ose nuk futeni fare në parking. Faktikisht ne e shfrytëzojmë parkingun 15 ditë dhe si shoqëri aksionare që kemi kontratë me Aeroportin ne e shfrytëzojmë parkingun me 50 taksi paguajmë me 6 mijë euro në muaj. Kështu që kjo është zhvatje e madhe për xhepin e secilit taksist. Mezi arrijmë të sigurojmë bukën e gojës”, tha Balaj.

Në përkrahje të tyre ka dalë edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi. Ai ka thënë se nëse nuk ka intervenim nga organet kompetente, do ta marrin vetë situatën në dorë.

“Është marrë vendim meqë institucionet shtetërore nuk po krijojnë kushte për auto-taksitë e Aeroportit, është marrë vendim që pas pesë ditësh një grup i auto-taksive do të punojnë dhe grupi tjetër do të ruajnë ambientin ose do të ballafaqohen me auto-taksitë ilegale. Kjo do të thotë që auto-taksitë do të konfrontohen në mënyrë fizike për shkak të mosintervenimit të shtetit. Është një vendim jo i mirë, por megjithatë është i imponuar. Për këtë problem janë të njoftuar që nga ministri i Punëve të Brendshme e deri te Komuna Lipjanit dhe të gjitha institucionet. Nuk ka lëvizje dhe tanimë auto-taksitë do ta marrin situatën në dorën e vet sado që nuk është ligjore”, deklaroi Azemi.

Për një orë, 100 auto – taksi kanë protestuar para Aeroportit të Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në shenjë pakënaqësie.