Arbëri

E veja e Oliver Ivanoviqit, ftohet të dëshmojë për vrasjen e tij në Prishtinë

Foto: Koha

E veja e ish liderit të vrarë të SDP-së Oliver Ivanoviq , Milena Popoviq është ftuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për të dëshmuar në gjyq, për vrasjen e bashkëshortit të saj, Ivanoviqit.

“ Kam marrë një thirrje për 1 shtator dhe dëshmia ime do të jetë në fillim të këtij procesi gjyqësor” ka thënë Popoviq për mediat serbe.

Gjykimi për vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq , ka nisur më 6 korrik në Prishtinë. Gjashtë të akuzuarit në shqyrtimin fillestar ishin deklaruar të pafajshëm për vrasjen e Ivanoviqit.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Nedelkso Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsovic, Dragisha Mirkovic, Zarko Jovanoviq, Rade Basara, Zvonko Veselinoviq e Milan Radojicic akuzohen për 8 vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje e rëndë, pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal e keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal që nga 2011-a dhe një pjesë e anëtarëve të grupit e kanë përcjellë Ivanoviqin, megjithëse nuk është e qartë se kush konkretisht e ka kryer vrasjen.

Por, ata që Prokuroria i konsideron udhëheqës të grupit kriminal, Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, si dhe Zhelko Bojiq, shef i operativës së Policisë për komunat veriore, vazhdojnë të jenë në arrati, derisa së fundi Prokuroria Speciale kishte tërhequr fletëarrestin ndërkombëtarë ndaj Radojçiqit pa dhënë ndonjë arsye për këtë.