Senatori Bob Dole ka kontribuuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës për më tepër se tri dekada. Në ditëlindjen e 98-të të senatorit Dole – më 22 korrik, 2021 – ne rikujtojmë me vlerësim përpjekjet e tij kritike për ta parandaluar agresionin serb dhe për ta udhëhequr ndërtimin e paqes dhe pavarësisë për Kosovën si shtet i pavarur. Gjatë punës së senatorit Dole si senator amerikan dhe lider i shumicës për më tepër se 30 vjet, tri veprime të shquara e definojnë kontributin e tij.
Senatori Dole drejtoi përpjekjet në Capitol Hill për ta përkrahur demokratizimin e Jugosllavisë, duke mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve për vetëvendosje. Sipas ambasadorit amerikan Philip Kosnett, “vizita e senatorit Dole më 30 gusht 1990 ishte pikë kthese për lirinë e Kosovës. Vizita e tij hapi sytë e komunitetit ndërkombëtar ndaj abuzimeve me të drejta e njeriut, të cilat po ndodhnin.” Senatori Dole i shkroi Sekretarit të Shtetit, James A. Baker III, para vizitës në Beograd në qershor të vitit 1991, duke shprehur “shqetësimin e vazhdueshëm të ShBA-së për abuzimet sistematike të të drejtave të njeriut kundër popullatës shqiptare në Kosovë, që po jetonte nën ligjin ushtarak për dy vjet tash”. Kjo çoi te vija e kuqe e presidentit George W. Bush në vitin 1992, “paralajmërimi i Krishtlindjes”, duke kërcënuar me një përgjigje të njëanshme ushtarake të SHBA-së nëse Serbia sulmon shqiptarët e Kosovës. Pa paralajmërimin e Bushit, forcat serbe do ta kishin shtrirë inatin e tyre në Kosovë, aty ku nisi konflikti jugosllav.
Bob Dole dhe Jim Xhema
Senatori Dole siguroi mbështetje bipartizane për intervenimin ushtarak të presidentit Bill Clinton në vitin 1991, për të “parandaluar që të ndodhte në Kosovë ajo që ndodhi në Bosnjë”. Ai dënoi masakrën e Reçakut, që çoi te Misioni Verifikues i Kosovës (KVM). Por, ai ishte një nga të parët që konkludoi se KVM nuk po funksiononte. Ai po ashtu ndikoi në negociatat në Rambuje. Sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, thotë: “Kur arrita në një pikë të vështirë në Rambuje, e telefonova senatorin Dole. Ai ka qenë vërtet fantastik. Ne biseduam shumë se si ta çojmë procesin para. Unë e telefonova atë pasi nuk isha në gjendje të siguroja lëvizje nga shqiptarët dhe ai e bëri këtë”. Megjithëse Rambujeja dështoi përfundimisht, ishte e rëndësishme të shtereshin të gjitha opsionet diplomatike, duke e bërë kështu intervenimin ushtarak si zgjidhje të fundit. Puna e senatorit Dole me kolegët e tij në Senat në SHBA, si senatorët John McCain, John Warner, Joseph Lieberman, Christopher Dodd ndër të tjerë, mobilizuan përkrahjen bipartizane për veprimet e NATO-s, që përfundimisht ndikuan në vendimin e presidentit Clinton për të intervenuar.
Senatori Dole fuqishëm ka kundërshtuar ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve. Më 24 gusht 2018, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tha se SHBA-ja nuk do të kundërshtonte një shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë nëse Prishtina e Beogradi do të arrinin një “zgjidhje të ndërsjellë të kënaqshme”. Senatori Dole kundërshtoi fuqishëm projektin e Milosheviqit, të ringjallur nga Aleksandar Vuçiq, për ta ndarë Kosovën përgjatë vijave etnike. Ai mendonte se Serbia nuk duhet të fitonte nëpërmjet negociatave atë që dështoi ta arrinte nëpërmjet spastrimit etnik. Për më tepër, senatori Dole kundërshtoi kategorikisht kur administrata Trump kërkoi lëshime nga Qeveria e Kosovës dhe kërcënoi me tërheqje të trupave amerikane nga Bondsteeli. Ai e kuptoi se prania e trupave amerikane është një pengesë thelbësore për një agresion të ripërtërirë të Serbisë.
Senatori Dole është një patriot shqiptar që ka fituar respektin më të madh nga të gjithë shqiptarët nëpër botë, në veçanti nga shqiptarët e Kosovës. Në ditëlindjen e tij, ne nderojmë rolin e tij të jashtëzakonshëm në Kosovë. Pa senatorin Dole, Kosova sot nuk do të ishte e pavarur. Ne po ashtu nderojnë shërbimin e tij si një veteran lufte, shërbimin e tij për interesat e SHBA-së në gjithë botën dhe po ashtu përkushtimin e tij jetësor ndaj SHBA-së.