Arbëri

Qeveria premton kontrollimin e cilësisë së asfaltit nëpër rrugët e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka nisur që të bëjë kontrollin e kualitetit të punimeve nëpër rrugët në vend. Sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, “rëndësi primare do të jetë që rrugët që ndërtohen të jenë cilësore dhe sipas standardeve”.

“Projektet e Infrastrukturës Rrugore nuk do të implementohen (ndërtohen) si në të kaluarën pa kontrolle të cilësisë së kualitetit të punëve dhe materialeve nga laboratori i pavarur”, ka thënë ai, duke shtuar se “në të kaluarën janë ndërtuar rrugët pa kontroll të kualitetit nga investitori (Ministria), me ç’rast është e ditur nga gjithë opinioni publik se me ç’farë cilësie janë ndërtuar ato”.

Durmishi ka shtuar se në kuadër të këtij kontrolli do të merren mostrat e të gjitha materialeve, në të gjitha shtresat e do të ketë ekzaminime të shtresave të asfaltit, betonit, zhavorrit, armaturës e të tjera.

“Do të krahasohen me raportet e laboratorit që i sjell kontraktori dhe nuk do të pranohet asnjë pozicion që devijon nga projekti dhe kontrata.

Dikur pranoheshin teknikisht edhe rrugët në të cilat mbinte bari e lulet. Tani ka ikur ajo kohë e hajnave dhe zhvatësve”, ka përfunduar ai.

Në Kosovë vazhdimisht ka pasur raportime për punime të dobëta në asfalt.

{gallery}