Arbëri

INDEP: Modeli “Kolumbia” për Ujmanin, i pazbatueshëm

Ujmani - Marreveshja e Washingtonit

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e ka kryer një analizë të veten rreth raportit. Sipas Dardan Abazit, hulumtues në këtë institucion, raporti i hartuar nga Departamenti Amerikan për Energji nuk është i përshtatshëm për t’u implementuar në rastin e Ujmanit

Ka kaluar rreth një muaj qëkur Qeveria e Kosovës e kishte pranuar raportin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Që nga ajo kohë, sa herë është pyetur rreth kësaj çështjeje, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është duke u analizuar ky raport nga ekspertët.

Madje në seancën e Kuvendit të Kosovës, kreu i Ekzekutivit ka thënë se do të përdoren argumente nga ky raport për ta mbrojtur Ujmanin.

“Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, por edhe në studimet e tjera, për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi”, ka deklaruar Kurti.

Por deri më tash, KOHA nuk ka pranuar përgjigje rreth pyetjeve se kush janë ekspertët që po i bëjnë analizën raportit për Ujmanin, ose institucionet të cilave u është dërguar ky raport për shqyrtim.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e ka kryer një analizë të veten rreth raportit. Sipas Dardan Abazit, hulumtues në këtë institucion, raporti i hartuar nga Departamenti Amerikan për Energji nuk është i përshtatshëm për t’u implementuar në rastin e Ujmanit, sa i përket propozimit për funksionim sikur të lumit Kolumbia.

“Propozimi i Qeverisë amerikane përmes studimit që të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për fat të keq presupozon që marrëdhëniet tona me Serbinë janë normale, të të dyja shteteve që synojnë të rrisin bashkëpunimin mes tyre, por këto marrëdhënie nuk ekzistojnë. E kemi parë një Serbi e cila vazhdimisht synon ta bllokojë Kosovën dhe sektorin e energjisë edhe në marrëveshjet e kaluara”.

Abazi ka shtuar se rekomandimet e tjera për liqenin e Ujmanit duhet të përfshihen në strategjinë e Kosovës për energji, në mënyrë që të shfrytëzohet si duhet. “Konsiderojmë që për këtë arsye ne duhet të marrim elementet të cilat janë shumë pozitive në këtë studim dhe duhet të plotësohen këto elemente me strategjinë tonë të energjisë dhe me dokumentet tona të brendshme, të cilat do ta merrnin parasysh situatën reale me Serbinë dhe do të funksionalizonin Ujmanin për zhvillim ekonomik”, ka thënë ai.

Propozimi i SHBA-së është që palët ta marrin si shembull mënyrën e funksionimit të lumit Kolumbia.

“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia t’i marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve, duke modeluar nevojat institucionale për ta mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan për Energji.

Ujmani është liqen artificial dhe përbën ujëmbledhësin më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Penda e tij është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Ka një hidrocentral që prodhon 35 megavatë për orë energji elektrike, si dhe kanalin e gjatë Ibër-Lepenc.

Projekti është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, ndërsa obligimin për pagesë e kishte marrë Kosova, e cila njëkohësisht kishte bërë edhe eksproprijimin e pronave.