Arbëri

Danimarka do t’i dhurojë 1 milion vaksina në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën

Danimarka do të dhurojë 1 milion vaksina anti-COVID, ‘’AstraZeneca’’, në Ballkanin Perëndimor. Një donacion i tillë do të bëhet muajt e ardhshëm, ku përfitues do të jenë shtetet si Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovinva, si dhe Maqedonia e Veriut.

Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës.

‘’Fqinjët tanë në Ballkan po përjetojnë një mungesë të madhe vaksinash, e cila ngarkon komunitetet individuale dhe rrit rrezikun e shpërthimeve të reja që mund të përhapen në tërë botën. Kjo është arsyeja pse unë jam i kënaqur që ne mund të ndërhyjmë dhe të ndihmojmë partnerët tanë të ngushtë me armën më të rëndësishme kundër pandemisë, domethënë vaksinat. Ballkani Perëndimor është pjesë e zonës sonë të afërt dhe ne kemi një interes të madh të përbashkët për të qëndruar së bashku - gjithashtu kundër pandemisë’’, ka thënë ministri i Jashtëm, Jeppe Kofod, në njoftimin për shtyp.

Danimarka, sipas njoftimit, do të dhurojë edhe 1 milion vaksina në Afrikën e Veriut.

Vaksina ‘’AstraZeneca’’ është hequr nga programi i përgjithshëm danez i vaksinimit, por është ende e mundur që vaksina të bëhet në një skemë opsionale.

Pos Danimarkës, disa ditë më herët vaksina për Kosovën dhuroi edhe vendi tjetër skandinav, Norvegjia.