Arbëri

Shqipëria e Serbia pajtohen të thellojnë bashkëpunimin

Shqipëria dhe Serbia janë pajtuar që të forcojnë bashkëpunimin. Kjo është bërë e ditur të enjten pas takimit që pati ministri i Turizimit i Shqipërisë, Blendi Klosi, me ministren e Turizmit të Serbisë, Tatjana Matiq, në Beograd.

Matiq, përcjell B92.net, tha pas takimit se tashmë ekziston korniza ligjore për bashkëpunim më të thellë, pasi më 2018 është firmosur Memorandumi për bashkëpunim në fushën e Turizmit.

“Ky është momenti i duhur për të menduar për projekte të përbashkëta dhe që bashkëpunimi në fushën e turizmit të thellohet”, ka thënë Matiq.

Sipas saj, qëllimi i Serbisë dhe Shqipërisë është që në fushën e turizmit të dilet me oferta të përbashkëta, për tregje të treta, përkatësisht të largëta.

“Kemi dashur që me këtë takim të tregojmë se bashkëpunimi rajonal është prioritet për Serbinë, gjë që është konfirmuar edhe më marrëveshjen për mini-Schengenin”, ka thënë Matiq.

Ndërkohë, ministri Klosi tha se për të dy vendet është e rëndësishme që serbët dhe shqiptarët të vizitojnë, përkatësisht Shqipërinë dhe Serbinë.

Sipas tij, është e rëndësishme që të krijohen oferta për vendet e largëta, turistët e të cilave do të vizitonin Shqipërinë e Serbinë, por edhe vendet tjera përreth.

“Qëllimi i përbashkët është të punojmë në promovimin e ofertës turistike për qëllime të një shkëmbimi më intensiv turistik, por edhe të punojmë në krijimin e produkteve të përbashkëta që do të shiten në tregjet e treta. Gjithashtu, është e rëndësishme të inkurajohet shkëmbimi i të dhënave statistikore dhe të tjera në fushën e turizmit, si dhe vizitat reciproke të ekspertëve dhe përfaqësuesve të mediave në fushën e turizmit”, tha Klosi, përcjell atsh.