1 perditesime
17:32

Kurti për dialogun: Pyetni ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do ta vazhdojë avazin e vjetër të paraardhësve të tij në lidhje me dialogun me Serbinë.

Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur rreth Asociacionit, ka thënë se kur presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes.

“Kur presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, a nuk duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes?. Unë kam qëndrim parimor, të drejtë për Republikën. Pra, sinqerisht na lejoni të merremi me drejtësi dhe punësim, menaxhim të pandemisë. E këto pyetje për dialogun janë shumë të mira për paraardhësit e mi. Pse e pranuan asociacionin, tabelat etj?, ata duhet t’i pyesni. Mua është mirë të më pyesni për Këshillin Nacional, për propozimet që i bëra. Unë jam shumë i interesuar të flas për propozimet e mija, për koncesionet e tyre le të flasin ata”, ka thënë Kurti.

 

17:27

Kurti nuk ndryshon qëndrim për Ujmanin: Është i Kosovës për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se qëndrimi i tij dhe i Qeverisë që udhëheq për liqenin e Ujmanit nuk ka ndryshuar, pra Serbia nuk mund të bëhet hisedare në të.

Kurti ka kundërshtuar shumicën e zotimeve të dhëna nga Qeveria Hoti në Washington më 4 shtator 2020 sa ishte në opozitë, e njëjtë thotë se nuk ka ndryshuar as tash që është kryeministër.

“Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar. Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar (njohja nga Izraeli). Por nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti (2021), ndryshimi në Kosovë është gjigant. Këtë nuk e bënë ne, jemi pjesë e këtij ndryshimi”, ka thënë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Para pak ditësh, SHBA-ja publikoi një raport për Ujmanin. Sipas zotimeve të Washingtonit, Ujmani është paraparë të shfrytëzohet nga Kosova, ku është pjesa më e madhe e tij, dhe Serbia.

Kurti ka folur edhe për dialogun, punësimin dhe luftën kundër korrupsionit, që sipas tij po ndodh çdo ditë.

“Sa i përket cilësimeve që vijnë nga Beogradi. Ata janë përpjekur të na definojnë qysh moti, mua nuk më kanë definuar, as nuk kam qenë i burgosur politik, peng lufte, nuk mund të ketë definime për mua sidomos tash kur jam edhe kryeministër. Por kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë, nuk varet nga ne. Ndërkohë që ju po e vëreni se prioritet yni është punësimi edhe drejtësia, menaxhimi i pandemisë. Kur na pyetni për dialogun edhe përgjigjemi, por votat e qytetarëve na kanë sjellë në këtë pikë për të punuar për Kosovën. Ne nuk e kemi të varur jetën nga njohja e Serbisë. Është mirë të na njohin, por nuk jemi të varur nga kjo”, ka shtuar Kurti.