Arbëri

Në tre muajt e fundit të 2020-s, u rrit shkalla e papunësisë

Foto: Ilustrim
 

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në nivel vendi është 27 për qind. Bazuar në të dhënat për tremujorin e katërt të vitit 2020, ASK-ja ka thënë se papunësia është më e theksuar te gratë me 33.5 për qind, e 24.3 për qind te burrat. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare me 49.9 për qind. Shkalla prej 27 për qind e papunësisë në këtë tremujor, është për 2.4 për qind më e lartë se ajo që ishte në tremujorin e tretë (24.6%).

Në raportin e ASK-së bëhet e ditur se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune, 15-64-vjeçare. Në kuadër të kësaj moshe, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është vetëm 41.3 për qind. 58.7 për qind është shkalla e fuqisë joaktive, me fokus të veçantë te femrat me 76.2 për qind dhe burrat 40.9 për qind. Pra rreth 60 për qind e njerëzve në Kosovë, e që janë në grupin e popullatës në moshë pune, janë të papunë e as nuk kërkojnë vende pune.