Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpalosur programin për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Ka treguar edhe 13 kandidatët zyrtarë që do të garojnë për kryetar të komunave.
Deri tash janë miratuar nga Këshilli Drejtues 13 kandidatë, ka njoftuar AAK-ja. Agron Kuçi në Junik, Ardian Gjini në Gjakovë, Ali Krasniqi në Obiliq, Bali Muharremaj në Suharekë, Bashkim Ramosaj në Deçan, Bekë Berisha në Istog, Besnik Tahiri në Podujevë, Daut Haradinaj në Prishtinë, Faton Jakupi në Kamenicë, Mensut Ademi në Vushtrri, Rrustem Berisha në Pejë, Smajl Latifi në Rahovec dhe Zenun Elezaj në Klinë, janë 13 emrat e parë që kjo parti i ka prezantuar.
AAK-ja do të garojë në të gjitha komunat e Kosovës, ka thënë kryetari i saj Ramush Haradinaj, ndërsa është shprehur i bindur se nga këto zgjedhje fitues në shumicën e komunave do të dalë partia e saj.
“Ju siguroj që ne jemi fitues, nuk ka më fitues se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në Kosovë. Pse jemi fitues, sepse ne qëndruam çdo herë. Po e filloj para pluralizmit, periudhave të përpjekjeve për liri. Ne qëndruam, edhe atëherë kur plot të tjerë nuk kanë mundur, ne qëndruam, por edhe fituam, fitoj Kosova, e fituam edhe lirinë”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka përmendur taksën ndaj Serbisë, e vendosur kur ai pati qenë në krye të ekzekutivit. Tha se i bëri ballë kritikave të atëhershme teksa të tjerë “i mashtruar qytetarët”.
“Kur qëndruam ne me taksën si dhe me të gjitha temat me të cilat fitoi Kosova, ne i morëm goditjet tjera, kurse të tjerët i mashtruan qytetarët”, tha ai.
Ndërsa ka kritikuar qeverinë aktuale dhe kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas tij, ka mashtruar me deklaratat për negociatat me Serbinë.
“Kurti, Qeveria e tij, është Qeveri mashtruese. Ai është një mashtrues. Kur e kam thënë në Qeverinë e parë që ai është mashtues, shumë prej njerëzeve nuk më kanë kuptuar drejt. Ai e ka udhëhequr lëvizjen e vet,i ka premtuar Kosovës vetëvendosje e jo negociata, ai njeri u kthye në negociata pa e kthyer taksën dhe reciprocitetin”, tregoi Haradinaj.