Dallime të mëdha në çmime në tenderët për blerjet emergjente janë vërejtur gjatë monitorimit të organizatës Demokracia Plus e cila ka monitoruar tenderët dhe kontratat në 8 komuna dhe SHSKUK.
Në raportin e publikuar “COVID-19 si pretekst për lidhje të kontratave emergjente në prokurim publik” kjo organizatë ka analizuar dhjetë tenderë që lidhen me blerjen e produkteve për mbrojtjen nga pandemia, siç janë tenderët për maska, teste, pako ushqimore dhe vlerësimin e ndikimit të pandemisë, me të cilat janë shpërblyer operatorët ekonomik gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Sipas këtij raporti komuna e Vushtrrisë kishte lidhur kontratë në vlerë prej 140 mijë eurosh, por që nuk është dashur të zbatohet pasi kontrata nuk është nënshkruar edhe nga kryetari i komunës.
“Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat me vlerë të madhe duhet të nënshkruhen nga kryetari i komunës. Kontrata edhe pse është zbatuar në tërësi, është e paligjshme. Nga ana tjetër, Komuna e Rahovecit ka kryer një studim të ngjashëm në vlerë prej 12,500 euro, por me më pak kërkesa. Kjo kontratë është përcjellë me parregullsi përgjatë gjithë zbatimit të saj” thuhet në këtë raport.
Sipas këtij monitorimi ‘ShSKUK ka tejkaluar kufizimin prej mbi 30% të kontratës kornizë dhe ka vazhduar të bëjë pagesa për operatorin ekonomik, ndërsa ligji kërkon që kontrata të ndërpritet automatikisht nëse tejkalohet ky kufizim. ShSKUK ka paguar 126,115.30 euro më shumë se sa kufizimi i lejuar me ligj. Për më tepër, ShSKUK ka paguar çmime që nuk kanë qenë të parapara në kontratë”.
Demokracia Plus ka vërejtur se Komuna e Prizrenit ka paguar për disa produkte, të cilat kanë qenë të gatshme nga Qeveria e Kosovës .
“Prizreni ka paguar 20,378.60 euro për t’i sensibilizuar prizrenasit me masat për parandalim të virusit. Komuna ka paguar për disa produkte, të cilat kanë qenë të gatshme nga Qeveria e Kosovës dhe i ka shpenzuar pa nevojë 1,850 euro” thuhet në raport.
Gjatë monitorimit të tenderëve është vërejtur se ‘Komuna e Gjakovës ka ftuar për të ofertuar një kompani e cilat merret me shërbime të konsulencës, ndërsa kompania tjetër në konsorcium nuk ka licencë për produkte medicinale, e cila ishte kërkuar në dosje të tenderit”.
Raporti gjithashtu konstaton se ‘gjatë zbatimit të kontratës, komuna e Gjakovës për të njëjtin produkt ka paguar çmime të ndryshme. Për maska të thjeshta komuna ka paguar 0.35 euro dhe 0.20 euro, ndërkohë çmimi i tregut në atë kohë ka qenë 0.13 euro”.
Në një tender të komunës së Prishtinës gjithashtu janë konstatuar parregullësi.
“Komuna e Prishtinës ka ndarë një tender në pesë llote të njëjta, mirëpo ka ftuar vetëm gjashtë kompani të ofertojnë, të cilat kanë pasur të drejtë të fitojnë vetëm një llot. Si rezultat i këtij veprimi komuna ka lidhur kontratën në total për 23,660 euro më shtrenjtë”.
Në fund të këtij raporti Demokracia Plus ka dhënë disa rekomandime për të parandaluar shkeljen e Ligjit për Prokurimin Publik.
“Autoritetet kontraktuese, duhet të shmangin përdorimin e procedurës me negocim. Edhe në rastet kur nevojitet përdorimi i kësaj procedurë duhet të ftohen sa më shumë operatorë ekonomik për të siguruar konkurrencë minimale. Të gjithë operatorët ekonomik të ftohen në negociata në mënyrë që të tentohet ulja e çmimit. Autoriteti Kontraktues të sigurohet që mos të paguajë produktet me çmime më të larta se çmimi i tregut. Autoritetet kontraktuese duhet që të krahasojnë të gjitha çmimet e dhëna nga ofertuesi me çmimet e tregu” janë disa prej rekomandimeve.