Arbëri

Beqaj: Kurti po tregon arrogancë të panevojshme ndaj opozitës

Politologu Belul Beqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti po tregon arrogancë të panevojshme ndaj opozitës.

Në Deskun e KOHËS Beqaj ka thënë se duhet të shihet se si pushteti po i qaset transformimit, në kuptimin e ndryshimit të qëndrimeve sa ishte parti në opozitë dhe tash, dhe sa po i përmbushë kërkesat e qytetarëve përmes këtij transformimi.

Ai ka thënë se superioriteti të cilin Kurti e ka fituar në zgjedhjet e fundit po keqpërdoret ndaj opozitës.

Beqaj ka shtuar se Kurti duhet të gjejë bashkëpunim me partitë në opozitë.

“Problemi është në raport me qasjen reale me realizimin të pritjeve që po i presin qytetarët. Një nga elementet ka të bëjë me faktin që superioriteti që është krijuar për fitoren plebecitare nga një anë e ka krijuar unanimitetin por në anën tjetër superioriteti po më duket se po keqpërdoret në llogari të kritikave ndaj opozitës. Albin Kurti nuk e ka marrë votën plebecitare për shkak se kemi kërkuar nga ai që ta mësojë opozitën si duhet bërë kritika, ne ia kemi dhënë votat për t’i realizuar kërkesat tona. Ndërkaq, ai doli dhe tha se opozita nuk po di ta kritikoj as pushtetin. Mendoj se kjo është arrogancë e panevojshme, e tepërt dhe është në këtë situatë joproduktive. Kurti me superioritetin që e ka duhet të gjejë medoemos bashkëpunim me opozitën, nuk mund t’i thotë opozitës se nuk kemi nevojë për votat e tuaja”, ka thënë ai.