2 perditesime
12:39

Palët dakordohen që konferenca e radhës ndaj Shalës të mbahet në mes të shtatorit

Ka përfunduar konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime gjatë luftës. Përpos çështjeve teknike, palët kanë diskutuar për konferencën e ardhshme statusore, e cila thuhet se do të mbahet në mesin e shtatorit, pas përfundimit të pushimit veror.

Gjykatës i procedurës paraprake, Nikola Giju, ka deklaruar se përpos çështjeve urgjente, gjatë periudhës së pushimit nuk do të mbahet asnjë seancë gjyqësore. Në anën tjetër, mbrojtja e Shalës, ka kërkuar që konferenca e ardhshme statusore të mbahet më 13 shtator të këtij viti 2021.

“Kërkojmë që të organizohet në gjysmën e dytë të shtatorit. Unë do të kem një ndërhyrje shëndetësore në hyrje të shtatorit”, ka deklaruar avokati Jean-Louis Gillisen.

Nga Zyra e Prokurorisë Speciale është thënë se pajtohen që konferenca e radhës të mbahet në shtator.

Gjyqtari, në pajtim me palët, ka urdhëruar që mbrojtja duhet dorëzuar deri më 12 korrik të këtij viti mocionin parak, derisa pala e prokurorisë duhet t’i kthejë përgjigje një ditë më pas.

Për kundërpërgjigje, mbrojtja ka afat deri më 30 gusht.

Nga Administrata është bërë me dije se për shkak të përmirësimit të situatës me koronavirus, janë duke i rishikuar masat e vendosur. Sipas saj, familjarët e të pandehurve, që deri më tani kanë kontaktuar me të akuzuarit për Zoom-it, do mund t’i takojnë ata fizikisht.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara, Shala, i njohur gjatë luftës si “Ujku”, dyshohet se së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kishin mbajtur të izoluar në fabrikën e metalit në Kukës disa persona pa proces ligjor të rregullt, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

“Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtura nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzën e redaktuar.

Shala dyshohet se ndaj të ndaluarve kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike duke i kërcënuar me vdekje, duke i frikësuar dhe duke i marrë në pyetje. Veprat e lartpërmendura dyshohet se ishin kryer mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999.

“Të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës rriheshin thuajse përditë. Pjetёr Shala nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve”, thuhet tutje.


Deri më 19 nëntor ZPS-ja duhet ta dorëzojë dosjen paraprake ndaj Shalës

Në konferencën e sotme të çështjes, Gjykatës i procedurës paraprake, Nikola Giju, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorisë Speciale që 19 nëntori i këtij viti është data e fundit për dorëzimin e dosjes paraprake të kësaj çështjeje.

 

12:09

Mbrojtja e Shalës deklaron se nxjerrja e materialeve po vijon pa probleme

Mbrojtja e Pjetër Shalës, i akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime lufte, ka deklaruar janë në rrugë të mbarë për procesin e nxjerrjes së materialeve të deritanishme dhe se s’kanë hasur problem në bashkëpunim me prokurorinë.

Në seancën e sotme paragjyqësore, avokati Jean-Louis Gillisen, ka deklaruar se dokumentet e nevojshme i kanë marrë më 11 qershor.

“Procesi i nxjerrjes së materialeve është zhvilluar dhe ka ecur pa probleme fare, me dashamirësi do ta theksoja këtë aspekt. Na është konfirmuar se nxjerrja e materialeve sipas një rregulle, është plotësuar. Kemi kërkuar sqarime në disa video ku përfshihet i akuzuari”, ka thënë ai.

Nga Zyra e Prokurorisë Speciale është thënë se janë mirënjohës me bashkëpunimin e mbrojtjes.

Pjetër Shala akuzohet nga Gjykata Speciale për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme, të kryera gjatë luftës. Akuzat se seancën e parë i kishte cilësuar si qesharake.

08:11

Sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e rastit Pjetër Shala

Sot nga ora 11:00 në Hagë do të mbahet konferenca për ecurinë e rastit ndaj ish-eprorit të UÇK-së Pjetër Shala, kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës në faqen e tyre zyrtare. Në seancën e parë, e cila ishte mbajtur në muajin prill, Pjetër Shala u deklarua i pafajshëm.

Ai u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte të pretenduara si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.