Arbëri

Për një vit “avullohen” mbi 60 mijë tiketa parkingu në QKUK

qkuk

Shkallë të ulët të arkëtimit të mjeteve ka SHSKUK-ja. Ndonëse ligjërisht qytetarët duhet të participojnë në pagesa për shërbime, të rrallë janë ata që i kryejnë ato. Për një vit, institucioni kryesor shëndetësor ka arkëtuar më pak se 1 milion e 500 mijë euro. Ky institucion ka telashe edhe në argumentimin nëpërmjet dëshmive zyrtare të të hyrave e pikërisht si pasojë e mungesës së fakteve, mbi 60 mijë tiketa të parkingut, për të cilat kanë paguar qytetarët, konsiderohen të humbura

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është një nga institucionet me buxhetin më të lartë që i ndahet nga shteti, por shkalla e mbledhjes së të hyrave është e vogël.

Ndonëse për shërbime shëndetësore për kategoritë që nuk i përjashton ligji duhet të participohet në pagesa, brenda një viti ky institucion arrin t’i arkëtojë më pak se 1,5 milion euro. Një gjë e tillë është e dhënë në një raport të brendshëm të vetë këtij institucioni.

“Të hyrat nga parkingu, të hyrat nga qiraja, të hyrat nga certifikatat mjekësore, të hyrat nga shërbimet e shitjes dhe të hyrat nga shitja e mbeturinave, duke u bazuar në raportin vjetor të vitit 2020, të hyrat e përgjithshme të SHSKUK-së janë 1.400.953 euro”, shkruhet në raport.

Rreth 160 mijë euro në vit QKUK-ja arkëton nga pagesat e parkingut në QKUK, por raporti ka evidentuar mbi 62 mijë tiketa të humbura.

“Pas një analize që u kemi bërë raporteve të cilat i kemi pranuar nga menaxhmenti për hyrje-dalje në parkingun e QKUK-së, kemi vërejtur se numri i tiketave të pranuara në hyrje të QKUK-së nuk përputhet me numrin e tiketave në dalje”, shkruhet në raport.

Ndonëse SHSKUK-ja është institucion që ka nën ombrellë të gjitha spitalet e tjera regjionale. Sipas raportit, ato dallojnë shumë në funksionim, veçanërisht në atë se si paguajnë pacientët që hospitalizohen. Është e njëjta bazë ligjore, e cila e rregullon këtë çështje, por disa spitale ua marrin pacientëve nga 15 euro për një ditë qëndrimi, e disa spitale nga 3 euro.

“Në Spitalet e Ferizajt, Spitalin e Gjilanit, Spitalin e Mitrovicës, duke pasur parasysh participimin prej 3 eurosh për çdo ditë të qëndrimit në spital për pacientët të cilët qëndrojnë më pak ditë sesa kanë bërë pagesën shuma e mjeteve që merret më tepër, nuk u kthehet. Në Spitalin e Mitrovicës dhe Spitalin e Gjilanit inkasohen 15 euro”, shkruhet në raport.

Vërejtje të tilla janë të përsëritura çdo vit, e për këtë arsye sipas auditorit, duhet të merren masa.

Raporti ka edhe të dhëna të tjera në lidhje me mospërputhjen e shifrave në SHSKUK.

Ky institucion vazhdimisht ankohet për buxhet të ulët, e në anën tjetër, institucionet publike kontraktojnë shërbime shëndetësore nga institucionet private, e jo QKUK-ja.