Arbëri

Radman thirrje pesë vendeve të BE-së ta njohin Kosovën

(KosovaPress) Shefi i diplomacisë kroate, Gordan Grliq Radman, ka inkurajuar sot pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës.

"Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE të njohin Kosovën, pasi kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës," tha Radman Grliq për gazetarët në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratisllavë, ku gjithashtu do të diskutohet situata në Ballkanin Perëndimor.

Radman tha se respektimi i integritetit territorial të shteteve është thelbësor për stabilitetin e rajonit.

"Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet, pa rikrijuar kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa letra të famshme, të cilat ishin të drejtuara në atë drejtim", tha Grliq Radman.

Qipro, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia janë pesë vendet e BE-së që ende nuk pranojnë Kosovën shtet.