1 perditesime
19:14

Kërkohet verifikimi i marrëveshjeve dhe më shumë transparencë në dialogun e Brukselit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po përdor standarde të dyfishta në dialogun e Brukselit duke insistuar në zbatimin e marrëveshjeve që i konvenojnë sikurse është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por nuk i zbaton marrëveshjet për të cilat është zotuar. Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar më shumë transparencë në dialogun i cili rinisi këtë të martë me takimin Kurti-Vuçiq

Fitim Gashi

Verifikim të kujdesshëm të marrëveshjeve të arritura deri tash në kuadër të procesit të dialogut ka kërkuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në tryezën e KDI-së me kryetarët e komisioneve parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi, Konjufca ka thënë se Serbia po përdor standarde të dyfishta. Sipas tij, Beogradi nuk po zbaton Marrëveshjen për diplomat, derisa kërkon themelim të Asociacionit, që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

“Ajo çfarë Serbia po konsideron si një pozicionim strategjik, se ne do të na kërkojë ato që janë nënshkruar, e ne faktikisht përmes institucioneve tona dhe rendit kushtetuese i kemi hedhur poshtë, sepse vërtet marrëveshja për ‘Zajednicën’ ka qenë e tillë, i ka shkelë fondamentet kushtetuese të Kosovës. Ata me të njëjtin argument dëshirojnë të përfitojnë diçka në dialog në raport me ne, ku vetë me metodat e njëjta kanë pasur qasje për marrëveshje të caktuara. E përmenda unë marrëveshjen e diplomave”, ka thënë Konjufca.

“T’i thërrasim edhe një herë mendjes që institucionet e Kosovës nuk janë këtu thjesht për ta rivlerësuar sa janë të domosdoshme implementimi i marrëveshjeve. Po ashtu, edhe për të argumentuar që ato që quhen ngecje, nuk duhet të shihen si të tilla, por si një lloj verifikimi edhe të njëhershëm me shumë kujdes i asaj që është arritur, i asaj që është nënshkruar me disa shpjegime të atëhershme që këto do ta sjellin integrimin e shpejtë në integrim evropian”.

Edhe pse deri tash komisionet parlamentare nuk janë marrë në mënyrë specifike me dialogun dhe temat e tij, hartëzimi i marrëveshjeve secilit komision, që është bërë nga KDI, sipas Konjufcës, do të jetë ndihmesë për komisionet që në mënyrë sa më efektive të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve përkatëse.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka potencuar se institucionet nuk do të pranojnë marrëveshje që dëmtojnë interesin e vendit.

“Kosova ka pranuar marrëveshje të dëmshme... Kjo ka ndryshuar, më nuk mund të pranohen marrëveshje që e dëmtojnë interesin e vendit, pavarësisht çmimeve që duhen të paguhen në kuptimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”, ka thënë Abazi.

E Jeta Krasniqi nga KDI-ja ka folur për rëndësinë që procesi të jetë transparent.

“Synimi ynë ka qenë transparenca, pasi ky proces nuk shquhet për transparencë të madhe duke e ditur se është një proces konfidencial. Ka ende marrëveshje që nuk janë plotësisht të zbatuara, siç është plani për marrëveshjen e drejtësisë, i cili nuk është ende publik”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij takimi u publikuan gjetjet kryesore nga raporti i monitorimit të punës së Kuvendit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, gjatë legjislaturës së shtatë, duke përfshirë zhvillimet në seancat plenare si dhe punën e komisioneve parlamentare.

Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, gjatë prezantimit deklaroi se në seancat e Kuvendit, dialogu është trajtuar apo diskutuar në 38 për qind të tyre, ndërsa vetëm në 14 për qind të mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Sa u përket komisioneve parlamentare, u potencua numri i vogël i ftesave ndaj ministrave për raportim, me vetëm katër sosh gjatë legjislaturës së kaluar, si dhe realizimi i vetëm tri vizitave në terren. Në këtë drejtim u rekomandua që komisionet parlamentare të zhvillojnë sa më shumë vizita të tilla, për të marrë edhe informacione të dorës së parë për zbatimin e marrëveshjeve të ndryshme të dialogut.

Të martën ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi, ku kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Por shumë marrëveshje të arritura nga dialogu i kaluar nuk kanë gjetur zbatim ende. Derisa Kosovës i është kërkuar ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deri tash Serbia ka penguar lirinë e lëvizjes në veri, duke mos lejuar hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër. Zbatim nuk ka gjetur as Marrëveshja për energjinë dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave.

15:01

Konjufca: Serbia me standarde të dyfishta, duke mos implementuar marrëveshjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka deklaruar se institucionet e vendit duhet të bëjnë një verifikim të marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Kryeparlamentari Konjfuca gjatë tryezës së KDI-së me kryetarët e komisioneve parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë – Serbi, tha se roli i komisioneve parlamentare duhet të jetë më i madh në këtë proces, raporton KP.

Ai tha se në kuadër të dialogut, Serbia po përdorë standarde të dyfishta, duke mos implementuar marrëveshjet, sikur ajo e diplomave, derisa kërkon themelim të asociacionit të cilën Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

“Këto janë ndoshta edhe standardet e dyfishta që mundemi me i identifiku në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo çfarë Serbia po konsideron si një pozicionim strategjik se ne do të na kërkoj ato që janë nënshkruar, e ne faktikisht përmes institucioneve tona dhe rendit kushtetuese i kemi hedhur poshtë sepse vërtet marrëveshja për ‘Zajednicën ka qenë e tillë, i ka shkelë fundamentet kushtetuese të Kosovës. Ata me të njëjtin argument donë të përfitojnë diçka në dialog në raport me neve ku vet me metodat e njëjta kanë pas qasje për marrëveshje të caktuara”, tha Konjufca.