Arbëri

​Mbi 48 % e qytetarëve mendojnë se diskriminimi është i pranishëm në Kosovë

Mbi 48 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se diskriminimi është i pranishëm në vend. Qytetarët të anketuar në kuadër të hulumtimit “Diversiteti dhe Barazia në Kosovë" kanë theksuar se më shumë se 90 për qind e diskriminimit bëhet në bazë të nacionalitetit.

Kështu është thënë në konferencën për prezantimin e të gjeturave në kuadër të hulumtimit "Diversitetit dhe barazia në Kosovë" nga Zyra për Qeverisje të Mirë.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi u zotua se prioritet i Qeverisë Kurti është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i legjislacionit kundër diskriminimit.

"Prioriteti i qeverisë tonë është mbrojtja e të drejtave të njeriut. Dialogu ndëretnik bazuar në të drejtën dhe jo diskriminim të bazuar në barazi gjinore, bashkëjetesën dhe jetën e të gjithave pa marrë parasysh në gjuhën, religjionin dhe çfarë është ngjyra e lëkurës tuaj. Mbetet tek ne se sa është zbatimi i ligjeve në institucionet publike dhe private. Ajo që dëshiroj të them është bashkëpunimi me zyrën për qeverisje të mirë. Ky mobilizim i përgjithshëm i yni duhet të jetë i lidhur nëse duam të i tregojmë botës se Kosova është i vend i sigurt dhe stabil", ka theksuar ajo.

Mirëpo, avokati i Popullit, Naim Qelaj pati kritika, meqë sipas tij nuk ka pasur analizë të thellë të kornizës ligjore.

"Ne duhet të hyjmë në një analizë të thellë për të parë se si ka ndikuar ky ligj. Një përgjegjësi e madhe e këtij ligji bie mbi institucionin që unë jam bartës. Pjesa më kryesore e barrës bie mbi qeverinë. Flasim për një ligj shumë të mirë, por mendoj që derisa nuk kemi një analizë të tillë atëherë nuk mund të themi se sa është zbatuar. Kemi një perceptim të lartë që diskriminimit ndodhë në Kosovë. Por rastet e raportuara janë shumë pak. Nga rastet që raportohen te ne mbi 800 pranohen. Këto 800 raste kanë një bazë të diskriminimit. Por nuk dihet se sa raste janë në gjykatë, sa janë në procedura", tha ai.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Luigi Brusa tha se njohja e drejtave të njeriut duhet të jetë mision i të gjithëve.

"Institucionet relevante duhet të punojnë të gjithë së bashku si ekip. Zëvendëskryeministrja duhet të fuqizojë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit, por po ashtu edhe me gjykatësit dhe prokurorët. Ky ambient kompleks duhet të jetë subjekt, po ashtu edhe komunat duhet të përfshihen.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë ka folur për të gjeturat e studimit "Format e diskriminimit në Kosovë".

"Ka pasur target 1635 të anketuar dhe ka përfshirë më se 38 komuna në tërë territorin. Hulumtimi tregon për gjetje jo të mira dhe kërkohet nga institucionet që të ndërmerren hapa. Kemi mbi 40 për qind thonë se shumë pak, 4 për qind kanë thënë se nuk ka diskriminim dhe 21 për qind në masë më të madhe. Kemi adresuar edhe atë se ku është më prezent, 90 për qind në aspektin e nacionalitetit, të opinionit politik 16 për qind. Në bazë të racës 6 për qind, 5 për qind aftësia e kufizuar", ka theksuar ai./ksp