Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina", ka njoftuar se ka nisur inspektimi i terrenit për kyçjet ilegale, manipulimet me valvola dhe ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit. Inspektimi do bëhet në zonën e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Drenasit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Graçanicës dhe Obiliqit.
“Kjo dukuri vështirëson furnizimin me ujë gjatë muajve dhe viteve në vazhdim, prandaj kërkojmë nga të gjithë konsumatorët të na lajmërojnë për çdo keqpërdorues që hasin dhe çdo informacion nga ana e tyre do te jetë anonim”, ka thënë KRU-ja.
Njoftimi i plotë:
Lidhjet e paligjshme mund të kategorizohen si më poshtë :
Bypass-i i njehsorit: Konsumatori ka një tub alternativ që merr ujin përpara njehsorit.
Lidhja e paligjshme: Konsumatori nuk është klient i sistemit të furnizimit me ujë por është lidhur vetë ne rrjetin e ujësjellësit apo kanalizimit.
Rilidhja e paligjshme: Konsumatori lidhet përsëri me rrjet, pasi të jetë shkëputur për mospagesë.
Kthimi i njehsorit: Konsumatori instalon njehsorin në mënyrë të kundërt në mënyrë që të numërohet mbrapsht deri në leximin e dëshiruar.
Ndërhyrja e njehsorëve: Konsumatori qëllimisht manipulon njehsorin në mënyrë që të ndikojë në efikasitetin ose funksionalitetin e tij.