Arbëri

Osmani: Pokleku, dëshmia më e fuqishme e synimit të Serbisë për shfarosje e gjenocid

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se këtë vit kanë zgjedhur fshatin Poklek për ta shënuar Ditën e Çlirimit për shkak se siç ka thënë, ky vend është dëshmia më e fuqishme e synimit të shtetit serb për shfarosje e gjenocid.

Osmani ka cituar me këtë rast sekretarin e përgjithshëm të NATO-s atë kohë, Lordin George Robertson i cili kur kishte vizituar Poklekun me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosove, kishte thënë se "Kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, duhet të vijë në Poklek".

“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson vizitoi Kosovën, na la me një thënie e cila rezonon aq shumë edhe tash pas më shumë se dy dekadash. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek është vendosur citati ik tij: Kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë këtu, në Poklek. Kthehemi këtu për ta ritheksuar këtë mesazh sepse nuk është vetëm detyrim politik e institucional por mbi të gjitha është obligimi ynë moral ndaj të gjitha viktimave të luftës në Kosovë. Atë ditë ne fituam lirinë, u çliruam nga agresioni serb por edhe e sollëm paqen së bashku. Sot Kosova është e veshur me petkun e krenarisë për aleancën e fortë me NATO-n dhe shtetet që na dolën në krah dhe jemi jashtëzakonisht krenar për këto aleanca”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se liria e popujve të vegjël lind nga vuajtjet e mëdha, duke aluduar në viktimën gjashtë muajshe të masakrës së Poklekut e cila e kishte emrin Liri.

“Liria e popujve të vegjël lind nga vuajtjet e mëdha. Këtë na e dëshmon simbolika e vajzës së vrarë dhe të djegur në këtë shtëpi e cila si për ironi mbante emrin Liri. Ajo ishte vetëm gjashtë muajshe. Tepër e njomë për ta nuhatur trishtimin e ditës e kobin e pafund. Sot jem i këtu për ta kujtuar emrin e saj, të cilën ajo na e fali secilit prej nesh. Ajo sot prehet në të njëjtin varr me Mbi 50 viktima të tjera ishin djegur aq shumë herë sa nuk arritën as të identifikohen. Mbi 50 njerëz në të njëjtin varr janë shndërruar në dëshminë më të fuqishme të synimit të shtetit serb për shfarosje e për gjenocid”, është shprehur Osmani.