Arbëri

Isufi: Dhoma e Posaçme e Supremes ka probleme pa fund

Avokati Bejtush Isufi, ka thënë se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka probleme të mëdha dhe se ka qenë një mekanizëm që ka ndikuar shumë keq në sistemin gjyqësor të Kosoës.

Duke folur për mundësinë e shuarjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Isufi ka thënë në “Desku” të KOHËS se kjo Dhomë ka qenë jashtë sistemit gjyqësor pa asnjë arsye, duke krijuar kështu siç ka thënë, sistem paralel të drejtësisë.

“Ata kanë qenë të veqantë, jashtë sistemit gjyqësor që nuk ka pasur asnjë arsye. Nëse këtë e ka dashur UNMIK-u në atë kohë, është dashur që Kuvendi i Kosovës të reagojë dhe të ketë parasysh se Kosova nuk mund të krijojë dy sisteme gjyqësore paralele. Përgjegjësia kryesore bien mbi Kuvendin e Kosovës që është themeluese e AKP-së dhe e Dhomës së Posaçme”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, absurd tjetër për këtë Dhomë është se nuk e ka asnjë qasje në Gjykatën Supreme ndërkohë që thuhet se është e kësaj gjykate.

“Absurdi tjetër është që Dhoma e posaçme thuhet e Gjykatës Supreme, por vetëm kjo gjykatë nuk e ka asnjë qasje në Gjykatën Supreme. Asnjë qasje nuk e ka. Me Ligjin e Ri për Dhomën e posaçme u mundova të sugjeroj që është e patolerueshme që qytetarët e Kosovës si palë në këtë gjykatë, të mos kenë qasje fare ne Gjykatën Supreme. Dhe sot e atë ditë, të gjithë janë të heshtur, në mohimin e mjeteve juridike ndaj qytetarëve të Kosovës. Është e vetmja gjykatë ku nuk ka farë mjete të jashtëzakonshme, gjithçka përfundon me një gjysëminstancë, nuk kemi asnjë instancë të plotë gjyqësore”, është shprehur Isufi.