Arbëri

Kurti për çështjen e të pagjeturve: Është me rëndësi të hapen arkivat shtetërore të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar.

Kurti gjatë takimit me drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Martin Schuepp, ka thënë se është me rëndësi të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet gjatë luftës në Kosovë nuk janë kryer nga individë por nga shteti serb.

“Kryeministri Kurti tha se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Siç tha ai, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre”, thuhet nga Zyra e kryeministrit. “Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”.