Arbëri

Kadriu: Nuk ka vend për panik nga gripi i shpezëve, por duhet pasur kujdes

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës thotë se nuk ka vend për panik përkundër paraqitjes së gripit të shpezëve në Kosovë. Por, nga kjo Agjenci thuhet se duhet pasur kujdes.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në AUV, Flamur Kadriu në një intervistë për emisionin SOT në KTV, ka thënë se nuk ka evidencë që vezët apo mishi i shpezëve shkaktojnë sëmundjen apo bartin gripin e shpezëve të njeriu.

“Ne si agjenci kemi dal me deklarim se produktet, vezët e mishi i shpezëve, nuk ka evidencë që shkaktojnë sëmundje apo bartin gripin e shpezëve te njeriu. Por, është etika që kafshët e prekura apo të sëmura të largohen gjithsesi nga zinxhiri ushqimor. Për gripin e shpezëve një prej masave për çrrënjosje është shkatërrimi i shpezëve që janë të shëndosha por në afërsi të tufës së prekur. Nuk ka evidencë që popullata është e rrezikuar prej vezëve nëse hasin në vezë të prekura nga sëmundja. Nuk ka evidencë që kalon sëmundja nga produktet te njeriu. Por masat e higjienës gjithsesi që duhet të merren, pastrimi i duarve, përgatitja e mishit në temperatura të nevojshme, fërgimi i vezëve në temperatura të nevojshme. Nuk ka vend për ndonjë panik, por duhet të ketë kujdes. Gjithsesi konsumatori gjatë blerjes së produkteve, duhet të shikojë deklarimet, afatet, të shikojë etiketat e produkteve se a janë prej prodhuesve të certifikuar e aprovuar”, ka thënë Kadriu.

Sot është Dita Botërore e Sigurisë së Ushqimit, ndërsa Kadriu vlerëson se në Kosovë ka një siguri të mirë të ushqimit.

“Ne si AUV e kemi mandatin që të sigurohemi që qytetarët të kenë ushqim të sigurt. Në Kosovë e kemi një nivel të mirë të sigurimit në përgjithësi. Produktet me prejardhje shtazore janë me rreziqe më të mëdha për nga natyra sesa ato me prejardhje bimore. Edhe pse ushqimet me prejardhje shtazore kanë participim 20 për qind të gjitha ushqimeve që i ofrohen njeriu, rreziku është 80 për qind më i madh krahasuar me produktet bimore. Kushtimisht duhet bërë kontroll më i madh. Kontrolli duhet filluar nga burimi, sa është kafsha ende gjallë, t’u nënshtrohen kontrolleve e veprimeve, që të parandalojnë sëmundje të ndryshme. Është punë jashtëzakonisht e mundimshme. Nuk është e lehtë të ofrohet siguri 100 për qind. Atë nuk e ofrojnë as shtetet më të zhvilluara pasi kemi raste të pandemive e infeksioneve. Ne mundohemi që siguria të jetë në nivelin sa më të lartë. Por, rol të madh në këtë luan edhe konsumatori. Ai duhet të lajmërojë çdo parregullsi”, ka thënë Kadriu.

Ai ka treguar se në AUV ka ankesa të shumta, kryesisht për skadime të afateve apo raste edhe të helmimeve, por se duhet bërë më shumë. Kadriu ka treguar se gjitha ankesat merren parasysh.

Sa i përket helmimeve nga ushqimi, Kadriu ka thënë se në Kosovë nuk ka numër të madh.

“Raste të helmimit ka, por fatmirësisht prej që jam në agjencia nuk e di se kemi pasur rast me vdekje si pasojë e helmimit nga ushqimi. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me IKSHPK. Rastet me helmime i lajmërojmë, ndajmë informatat. Por rol të madh luan edhe Policia e institucionet tjera. Nuk ka raste të shumta, jam dëshmitar i asaj, që muajin e kaluar patëm katër pjesëtarë të një familje që u helmuan, pasi kishin konsumuar ushqim diku në një restorant afër. Jemi lajmëruar i kemi rënë pas rastit, duke shikuar si gjendjen e pacientëve ashtu edhe duke kontrolluar vendin ku dyshohet se janë helmuar që të mos ketë përkeqësim të situatës”, ka thënë Kadriu.

Mesazhi i Kadriut në Ditën Botërore të Sigurisë së Ushqimit është që konsumatorët të lajmërojnë çdo parregullsi që shohin.

“E drejta e tyre duhet të jetë më e shprehur. Të kenë mundësi të lajmërojnë çdo parregullsi. Ata janë vlerësuesit më të rëndësishëm të krejt zinxhirit ushqimor”, ka thënë Kadriu.