Për kompletimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, presidentja Vjosa Osmani është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese E për një gjë të tillë, Partia Demokratike e Kosovës është duke e akuzuar atë për rrezikim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë. Por, nga Presidenca kanë thënë se komisioni ka kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve
Më 12 qershor bëhet një muaj qëkur presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për përgjigje lidhur me emërimin e dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 11 sa ka gjithsej ky komision, duke përfshirë këtu edhe kryetaren.
Por, deri këtë të shtunë, Zyra e Presidentes nuk ka marrë ndonjë përgjigje e cila do t’i hapte rrugë kompletimit të përbërjes së KQZ-së.
“Sapo ta marrim përgjigjen, do të procedojmë sipas saj”, ka qenë përgjigja për KOHËN nga zyra e kryetares së shtetit.
Në mungesë të një vendimi nga presidentja Vjosa Osmani, për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, PDK-ja thotë se rrezikohet mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale, e për mbajtjen e të cilave ende nuk është caktuar data.
PDK-ja ka kërkuar që presidentja të kompletojë sa më parë përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Sipas sekretarit të kësaj partie, Betim Gjoshi, në përbërjen aktuale, qëndrimi i së paku një anëtari mund ta pengojë punën e komisionit.
“Moskompletimi i Komisionit Qendror Zgjedhor rrezikon kualitetin e mbajtjes së zgjedhjeve dhe për këtë përgjegjëse është presidentja e vendit. Presidentja e vendit me qëllim të partnerit të saj në Qeveri, VV-së, t’ia sigurojë vendin e tretë është duke rrezikuar që organizimi i zgjedhjeve të jetë peng i Komisionit Zgjedhor të pakompletuar”, ka thënë Gjoshi.
Partia ku ai bën pjesë, është e bindur që kërkesa e presidentes drejtuar Kushtetueses ka qenë e panevojshme, për shkak se në Kushtetutë është e rregulluar një gjë e tillë.
Gjoshi ka thënë se me vendimin e Osmanit për emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ, ajo do ta dëshmonte se përfaqëson unitetin e jo interesat e një subjekti politik, duke aluduar kështu në Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga Kushtetuesja, presidentja Vjosa Osmani, në fillim të muajit maj, ndër të tjera ka kërkuar përgjigje se si bëhet emërimit të anëtarëve në KQZ në rast se njëri grup parlamentar ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhje.
Por, me akuzat e Gjoshit nuk pajtohen nga Presidenca.
Në përgjigjen për KOHËN këshilltari për media, Bekim Kupina ka thënë se organizimi i zgjedhjeve lokale nuk varet nga emërimi i dy anëtarëve të KQZ-së.
“KQZ-ja, aktualisht ka kapacitete të plota që të veprojë dhe t'i organizojë zgjedhjet lokale, pavarësisht nga fakti se a ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese vendimin e saj për dy anëtarët e KQZ-së”, ka thënë Kupina.
Se i kanë numrat e nevojshëm për marrjen e vendimeve, e thonë edhe nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.
Megjithëkëtë, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, përbërja e plotë do ta lehtësonte punën e komisionit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht ka nëntë anëtarë nga njëmbëdhjetë sa është numri i përbërjes së përgjithshme që parashihet me Kushtetutën e Kosovës. Kuorumi që është i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjeve dhe marrja e vendimeve janë të arritshme. Natyrisht se përbërja e plotë do ta lehtësonte dhe ndihmonte punën e KQZ-së”, ka thënë Elezi për KOHË-n.
Më 12 maj, Presidentja Vjosa Osmani, emëroi 8 anëtarë nga 10 sa është dashur gjithsej. Anëtarët e emëruar e të cilët janë Sami Kurteshi e Alim Rama nga Vetëvendosje, Arianit Elshani nga PDK-ja, Florian Dushi nga LDK-ja, Ibrahim Selmanaj – AAK, Gordana Laban Zuviq – Lista Serbe, Rifat Krasniç nga KDTP e Fazli Stollaj – IRDK u betuan para saj një javë më vonë, më 19 maj.
Krahas tyre është dashur të emërohen edhe dy anëtarë: një nga PDK-ja dhe tjetri nga komuniteti boshnjak e për të cilët presidentja kërkoi sqarime nga Gjykata Kushtetuese.
Në njoftimin e Zyrës së Presidencës është bërë e ditur se emërimi i tyre do të bëhet posa të merret një vendim nga Kushtetuesja dhe në përputhje me të.
Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 11 anëtarë, 10 prej të cilëve janë përfaqësues nga grupet parlamentare dhe kryetari i cili zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.
Pak ditë nga emërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, presidentja Vjosa Osmani ka nisur konsultimet për përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Për këtë çështje, ajo më 2 qershor takoi përfaqësuesit e partive politike në vend. Pas konsultimit me to, zyra e saj njoftoi se shpallja e datës së zgjedhjeve do të bëhet ditëve në vijim.