Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, për çështjen e dialogut mes dy vendeve kanë diskutuar edhe me patriarkun e ri të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
“Sot bashkë me Palmerin, kam zhvilluar një takim të parë, të mirë me patriarkun e ri serb. Diskutuam për pikëpamjet mbi dialogun dhe rajonin”, thuhet në përshkrimin që i ka bërë takimit Lajçaku në Twitter.
Lajçaku e Palmeri së fundmi vizituan Kosovën dhe Serbinë në prag të rinisjes së dialogut mes dy vendeve.
Pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe shtetit serb për trashëgiminë kulturore në Kosovë u kthyen në kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Më pas, shkas për këtë u bënë edhe letrat e institucioneve të Kosovës drejtuar atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mban në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari ia dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet e Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.