Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me subjektet politike parlamentare, me të cilat ka diskutuar datën e zgjedhjeve lokale.
Osmani i ka njoftuar subjektet politike se planifikon t`i bëjë ftesë BE-së për dërgimin e një misioni vëzhgues gjatë zgjedhjeve lokale.
Pas konsultimit me partitë politike, Osmani ditëve në vazhdim pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve lokale, të cilat bazuar në legjislacionin në fuqi, parashihet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Në takime të ndara ajo ka takuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesin AAK-së, Besnik Tahiri, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe me partitë e komuniteteve joshumicë: Vakat, RI, PAI, KDTP, IRDK, SDU, NDS, JGP dhe LPRK.