Fëmijëve të një lagjeje në Carralevë ka dy javë që po u duhet përcjellje për në shkollë.
Kjo pasi që një furrë buke, ende e paidentifikuar për banorët, po hedh mbetjet e bukës atje. Kjo ka bërë që aty të grumbullohen shumë qen endacakë.
Ramadan Behluli, banor i Carralevës, thotë se fëmijët e lagjes po ndihen të rrezikuar për shkak të grumbujve të mëdhenj të qenve që po mblidhen rreth bukës.
“Problemin kryesor që e kemi vijnë qenë endacakë, fëmijët kalojnë këtu pari është pak rrezik prej qenëve. Përndryshe kanë gju edhe parmbrëmë prapë edhe 10 thasë i kanë gjujtë”, ka thënë Behluli.
Ai thotë se buka po hidhet natën dhe orëve të hershme të mëngjesit, porse ende nuk kanë arritur ta identifikojnë personin që po i hedh ato.
E në qytetin e Shtimes pronarë të furrave mohojnë të kenë hedhur mbetjet e bukës në Carralevë.
“Mbetjet e bukës në fund të ditës mundohemi t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë, nuk i hedhim asnjëherë. Ato shiten për bukë të ftohta zakonisht ose u dhurohen disa familjeve që janë të rregullta skamnore që marrin këtu në furrën tonë”, tha Arta Beçaj-Osmanollaj, bashkëpronare e një furre.
Pothuajse në të gjithë Kosovën pronarët gjejnë mënyra që ta shpërndajnë bukën që u mbetet pa pasur nevojë ta hedhin atë.
“Zakonisht buka që mbetet në mbrëmje, shumicën e japim për bamirësi, jo për bamirësi por kush ka nevojë vjen e merr nuk është problem, bukë burek, kifle e me gjujt nuk e gjuajmë”, tha Armend Agushaj, pronar i një furre në Prishtinë.
Mbetjet e bukës dhe përgjithësisht ato ushqimore hidhen në kosha të plehrave në vende të pacaktuara për to, të cilat pastaj menaxhohen nga kompanitë e pastrimit në nivele regjionale, pasi që Kosova nuk ka deponi të mbetjeve ushqimore.