“Pa respektin paraprak ndaj vendimeve gjyqësore dhe sundimit të ligjit, është e pakuptimtë t’u përgjigjemi kërkesave të tilla”, shkruhet në përgjigjen e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit, në lidhje me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti drejtuar At Sava Sanjiqit për të vizituar Manastirin e Deçanit.
Me një kërkesë të tillë kreu i Qeverisë së Kosovës iu drejtua qysh më 20 maj Janjiqit duke i shprehur dëshirën për ta vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të mërkurën publikoi letrën e Kurtit dhe u shpreh se Qeveria është në pritje të përgjigjes për t’i diskutuar detajet praktike të vizitës.
Të enjten, Dioqeza e Rashkë-Prizrenit i është përgjigjur Kurtit duke thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë treguar as vullnetin minimal për të respektuar të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe se nuk e kanë implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 për të njohur pronat e manastirit.
“Vendimi vazhdimisht është injoruar për pesë vjet pavarësisht kërkesave për implementimin e saj nga Manastiri dhe përfaqësues ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e Dioqezës ndaj kërkesës së Kurtit. Aty përmendet edhe refuzimi publik për ndërtimin e rrugës rreth zonës së mbrojtur të Manastirit.
Trashëgimia kulturore u bë kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Më pas, shkas për këtë u bënë edhe letrat e institucioneve të Kosovës drejtuar atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mban në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari i dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet e Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.