Arbëri

Bie numri i pacientëve nga Covid 19, lirohet Mjekimi Intensiv Qendror

Descriptive Text

Rënia e shifrave të të infektuarve me koronavirus ka bërë që nga dita e mërkurë të lirohet nga pacientët me COVID-19 edhe Klinika e Mjekimit Intensiv Qendror.

Ndërsa, në Klinikën Infektive, Pulmologji si dhe spitalet regjionale aktualisht janë të shtrirë 165 pacientë të prekur me COVID-19.

“Brenda këtyre dy javësh ne kemi liruar komplet Klinikat Internistike, bllokun internistik javën e kaluar po ashtu kemi liruar Mjekësinë Sportive dhe nga dje nuk kemi asnjë pacientë në Mjekimin Intensiv Qendror pra në Klinikën e Anesteziologjisë dhe pacientët që kanë qenë aty i kemi transferuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive”, tha thënë drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Drejtori i SHSKUK-së po ashtu ka thënë se aktualisht në nivel vendi janë të hospitalizuar 165 pacientë të prekur nga koronavirusi, prej tyre pesë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Aktualisht sot në nivel të vendi i kemi vetëm 165 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së, prej tyre 5 janë në gjendje më të rëndë kritike janë duke u trajtuar në repartet intensive. Nga këta 165, 101 janë në QKUK dhe 65 pacientë të tjerë janë në spitalet e tjera. Pra, po e shihni se ka një zvogëlim dukshëm të pacientëve që janë duke marrë shërbime nëpër spitalet tona”, ka thënë Krasniqi.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë pozitivë më COVID-19 kanë rezultuar 44 persona, por nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes.

Ndërsa, është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër pandemisë për moshën mbi 65-vjeç, e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar arritjen edhe të 100 mijë vaksinave deri në fund të kësaj jave./KSP