Arbëri

Familja pretendon se tre policë nga Graçanica ua rrahën djalin 18-vjeçar

Pasi u rrah nga policia, nën shoqërimin e tyre, Leonit Osmani u trajtua për pesë orë radhazi në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu pretendon familja e tij nga Llabjani i Gjilanit, të cilët thonë se nga 17 maji 18-vjeçari është në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe nuk u është lejuar ta shohin, me arsyetimin se ende është duke marrë trajtim mjekësor.

Osmani u arrestua nga tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, pasi më 13 maj nuk u ishte bindur urdhrave të Policisë së Trafikut në Graçanicë që ta ndalonte veturën, të cilën e voziste pa regjistrim dhe pa patentë shofer.

Pasi ishte dërguar në stacionin policor, nëna e tij thotë se Osmani kishte tentuar t’u ikte policëve, të cilët e kishin kapur dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij.

“Jam mundu me hi në stacion po rojtarët nuk më kanë lënë me hi me pa djalin, veç kur më ka dalë djali më mirë ta kisha pa në sanak. Krejt qeshtu me trup me krejt pleh veç u dridhke se sa e kanë rreh i kanë gjujt ujë, rreh gjuj ujë, qull. Edhe e kanë qu në Emergjencë 5 orë”, tregon Arjeta Osmani, nëna e Leonit.

Nëna e tij, Arjeta, pohon se edhe ajo u sulmua nga policët, për çka posedon raporte mjekësore të lëshuara, si dhunë fizike dhe shtypje të krahut të djathtë.

“Unë jam tu lyp mem tregu pse me ushtru dhunë djalin me ma bo në atë deregje për emergjencë edhe veten pse me më sulmu edhe mu, qetu jam tu e lyp të drejtën. Ani djali ka ba gabim mere çoje ne burg si njeri ose bima dënimin hiq mos paqa kurgjio e kisha la me diçka kisha marrë hua kredit e kisha la dënimin, jo me ma bo djalin krejt gjak me fytyrë e me krejt se njeh djalin me pa”, tregon Arjeta.

Në lidhje me sjelljen e policisë familja ka njoftuar Inspektoratin Policor, i cili thotë se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se veprimet e tjera hetimore do t’i ndërmarrin në koordinim me prokurorin kompetent.

“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se IPK përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar informacionet e para për këtë rast. Bazuar në informacionet e pranuara, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes. Veprimet tjera hetimore pritet të ndërmerren në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Por, ndryshe nga versioni i familjes, Policia nuk pohon e as nuk mohon të ketë pasur sulm ndaj 18-vjeçarit, porse thotë se ai është i dyshuar për dy vepra, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Personi në fjalë është i dyshuar për dy vepra ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Sa i përket sulmit, rasti po vazhdon të hetohet ndërsa lënda për veprën ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ është proceduar në Prokurorinë Themelore - Departamenti i Përgjithshëm më 18.05.2021”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut thonë se dhuna është akti i fundit që duhet të ndërmerret nga Policia.

“Dhuna si dhunë është mjeti i skajshëm kur rrezikohet polici, rrezikohet ai që duhet të arrestohet apo rrezikohet personi i tretë, përndryshe dhuna nuk përdoret. Ne absolutisht jemi kundër përdorimit të çdo dhune dhe çdo rast kur kemi fakte të mjaftueshme ne menjëherë e adresojmë dhe e dërgojmë rastin tek Inspektorati Policor i Kosovës i cili pastaj bën hetimet dhe pas kësaj merr ndonjë vendim”, thotë Behxhet Shala i KMLDNJ-së.

KOHA ka provuar të marrë informata më të hollësishme nga QKUK-ja, Prokuroria e Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast, por ata nuk janë përgjigjur.