2 perditesime
16:12

Kuvendi mblidhet të enjten në seancë plenare

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten, më 20 maj në orën 10:00 do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Pas interpelancës, Kryesia vendosi pikë të rendit të ditës edhe propozimin e Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

Kryesia po ashtu futi si pikë të rendit të ditës në seancë votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Ndërsa Kryesia vendosi që debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, pikë që nuk ishte diskutuar në seancën e 6 majit për shkak të mungesës së iniciuesit, si dhe debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID—19, të zhvendosen për një datë tjetër.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia po ashtu procedoi për në Qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr.05/L-132 për Automjete. Po ashtu miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2021, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Kryesia shqyrtoi edhe çështje tjera që kanë lidhje me fushëveprimtarinë e Kuvendit.

15:47

Tahiri: Të enjten në Kuvend do të diskutohet për uljen e shtesave të pensionistëve

(Ekonomia Online) - Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, njoftoi se të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë për të diskutuar në lidhje me vendimin për uljen e shtesave të personelit shëndetësor dhe pensionistëve, raporton Ekonomia Online.

“Mbledhja e Kryesisë vendosi që në seancën e të enjtes të vendoset si pikë kërkesa e AAK-së lidhur me vendimin për uljen e shtesave për personelin shëndetësor dhe për atë të pensionistëve. Në seancën e të enjtes do të kërkojmë që këto shtesa të rikthehen me shumën e njëjtë dhe atë paraprake. Për pikat tjera do të ju njoftojmë në vazhdim”, tha Tahiri.

13:34

Mblidhet kryesia e Kuvendit, vendos për interpelancën ndaj ministrit Murati

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur mbledhje, për të vendosur në lidhje me kërkesën për interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”, raporton Ekonomia Online.

Po ashtu në rend dite është edhe debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.