Arbëri

Synohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret e viktimave të dhunës në familje

41 viktima të dhunës në familje kanë kërkuar strehim në qendrat e destinuara për ta që nga janari i vitit 2021. E strehimoret po vazhdojnë ta japin ndihmën edhe përmes telefonit për viktimat, gjë që i bën të kenë nevojë për buxhet shtesë.

Zana Hamiti-Asllani, drejtuese e njërës prej strehimoreve, thotë se problemet më të mëdha janë të shkaktuara nga mungesa e mjeteve financiare.

“Qëndrueshmëria financiare është sfida kryesore me të cilën ballafaqohen të gjitha strehimoret. Çdo fillimvit strehimoret kanë mungesa financiare për shkak të mosalokimit të mjeteve deri në kalim të buxhetit në Kuvend”, ka deklaruar Hamiti-Asllani. Tutje, ajo ka shtuar se e mirëpresin një vendim të tillë, meqë do të ndikojë në reduktimin e këtyre problemeve.

Ministria e Drejtësisë thotë se po synon që ta krijojë një linjë të veçantë buxhetore për strehimoret e viktimave të dhunës në familje në kuadër të vetë institucionit.

“Po synojmë që ta krijojmë linjën buxhetore të përhershme për strehimoret në Republikën e Kosovës. Duke marrë parasysh problemet financiare që kanë strehimoret të cilat ofrojnë shërbime strehimi për viktimat e dhunës në familje, do të krijojmë një linjë të përhershme buxhetore e cila do të garantojë një stabilitet financiar për to. Jemi në diskutim me Ministrinë e Financave, në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje të përshtatshme”, ka thënë Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë.

Ndonëse Ministria nuk ka treguar për shumën e saktë, “Koha” merr vesh se shuma buxhetore planifikohet të jetë rreth 1 milion euro, por pritet miratimi edhe nga ana e Ministrisë së Financave. Gjatë së mërkurës, këta të fundit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë çështje. Mirëpo, kjo shumë është e njëjtë me atë që u nda me Ligjin për buxhetin e vitit 2021, nga linja politikat sociale dhe shërbime. Ndërkaq, në dy vjetët e fundit, shërbimet bazike për strehimoret nga e njëjta linjë kanë ekzistuar dhe shuma e ndarë sillej rreth 900 mijë euro.

E, sipas Adelina Berishës së Rrjetit të Grupit të Grave, puna më e madhe tashmë është kryer, por problematik është alokimi i mjeteve me kohë i tyre.

“Si Rrjet i Grave të Kosovës ne kemi avokuar shumë kaherë për krijimin e kësaj linje të veçantë... Momentalisht, buxheti i Kosovës e ka një linjë që titullohet “shërbime për strehimoret”, “shërbime bazike për strehimore”, e për sivjet janë ndarë 1 milion euro për këto shërbime. Mirëpo, çfarë kemi pasur problem deri tash ka qenë zbatimi i kësaj linje. Prandaj edhe kjo qeveri nuk ka shumë punë të madhe për krijimin e kësaj linje, sepse ajo tashmë është ekzistuese aty. Në çka do të duhej kjo qeveri të fokusohej është zbatimi me kohë i asaj linje buxhetore, krijimi i mekanizmave që nuk i lejon strehimoret për asnjë arsye të mbyllen për shkak të mungesës së fondeve, për shkak të vetë votimit të Ligjit për buxhetin që bëhet çdo fundvit dhe mars. E gjithmonë kjo periudhë prej janarit deri në mars ka qenë problematike për strehimoret, meqë ato është dashur të presin për votimin e buxhetit në parlament”, ka theksuar Berisha.

Në Kosovë janë tetë strehimore për viktimat e dhunës në familje, një strehimore për fëmijët pa përkujdesje dhe një për viktimat potenciale të trafikimit. Ndërkohë që përgjatë viteve aty strehohen rreth 100 viktima.