Arbëri

Kurti javën e ardhshme sërish në Bruksel, takimi me liderët e rajonit shihet si produktiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’ia mësyjë sërish kryeqendrës evropiane.

Ai javën e ardhshme në Bruksel pritet të ketë një darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim joformal, i ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell po konsiderohet i dobishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve. Megjithëse ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, i njëjti nuk pritet t’i paraprijë rifillimit të dialogut.

Ndërkohë, vizitat e shpeshta në Bruksel të Kurtit, opozitarët po i shohin si heqje dore nga gjitha kauzat politike të tij sa ishte në opozitë.

Takimin e 18 majit në Bruksel për KosovaPress e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu. Ai thotë se ky takim nuk do t’i paraprijë rifillimit të dialogut, por vetëm do t’i shërbejë komunikimit dhe diskutimit të të gjithë liderëve të rajonit me BE-në, për interesat e përbashkëta.

“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta. Ashtu edhe mundësi e mirë që zhvillojnë̈ edhe diskutimi mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Mirëpo vizitat e shpeshta të këtij lloji, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa po i sheh në kundërshtim me prioritetet e vendosura të kryeministrit Kurti.

“Shumicën e kauzave që ka pasur zotëri Kurti për me ardh në pushtet kanë qenë kauza të rrejshme. Tash po e shohim se nga të gjitha kauzat ka hequr dorë, nuk e di cilën kauzë që ka mbajtur, sa ishte në opozitë. Nuk kam parë një seriozitet të Kurtit sa i përket dialogut dhe e shoh si disa tentativa të rrezikshme për vendit, sepse Kosova nuk po del e përgatitur para faktorit ndërkombëtar dhe nuk po ka një unitet të brendshme”, deklaron ai.

Derisa, Emir Abrashi nga Demokracia Plus nuk pret diçka konkrete nga ky takim i liderëve të rajonit ballkanik.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Bruksel më 18 maj është një vizitë jo formale. Është thënë se do të jetë një vizitë për darkë pune bashkë me liderët tjerët të rajonit dhe përfaqësuesit e komisionit evropian. Unë mendoj që nuk do të ketë ndonjë lëvizje në atë takim, mund të diskutohet çështje në mënyrë jo formale. Mund të bien dakord për t’u zhvilluar ndonjë takim, por nuk besoj se do të ketë diçka konkrete sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Kurti në Bruksel prej kur ka marrë detyrën në mars të këtij viti./Kosovapress