Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe të vaksinimit kundër koronavirusit në vend. Në një konferencë për media, zyrtarë të LDK-së thanë se Ministria e Shëndetësisë, e menaxhuar nga ministri Arben Vitia, po e rrezikon jetën e qytetarëve duke mos arritur të sigurojë vaksinat anti-COVID.
“Albin kurti ka rrezikuar jetën e qytetarëve, nuk e kanë në plan qytetarin, ata vazhdojnë të qeverisin si populistë. Sot deputetët e tyre merren me lindjen e mesme, i kanë mashtruar qytetarët, me transparencë 0, asnjë kontratë e nënshkruar, në një luftë politike, ekstreme për të mbyllur zërin e qytetarëve dhe të mediave”, ka thënë ish-ministri Armend Zemaj.
Për tollovinë tek salla “1 Tetori”, deputeti Zemaj ka thënë se pamje të tilla tregojnë se të moshuarit po dërgohen drejt vdekjes.
“Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Ministri i shëndetësisë Arben Vitia i kanë rrezikuar qytetarët. Kur kemi thënë që jemi të dëshpëruar me situatën e krijuar është dukur si politike, por kjo u dëshmua dhe shihet që kjo qeveri nuk ka prioritet shëndetësinë" tha Zemaj.
“Asnjë e mirë nuk ka ndodhur deri më tani, sot e kemi parë përmes mekanizmit të policisë që t’u ndalet zëri qytetarëve e mediave. Bëjmë thirrje që Qeveria ta merr situatën në dorë. Ka mekanizma vetëm duhet të përdoren e jo të shkarkohen. Ministria e Shëndetësisë nuk po udhëhiqet nga Qeveria. U bëjmë thirrje edhe ndërkombëtarëve që të intervenojnë sepse kjo gjendje është skandaloze”, ka shtuar ai.
Zemaj ka potencuar se organet e drejtësisë duhet hetuar mënyrën e vaksinimit pasi që sipas tij, disa persona janë vaksinuar pas raportimit që nuk kanë mbetur më vaksina.
“Edhe ne si departament i shëndetësisë e kemi analizuar në thellësi programin qeverisës. Është vërejtur se është një program sipërfaqësor. Nuk ka prioritet as për investime kapitale. Nuk ka plan për vaksinim, pa protokoll se si do të shkojë vaksinimi në 2021, shembull sot është 1 tetori”, ka thënë Ardian Shala, zyrtar i LDK-së.