Arbëri

Ringjallja ekonomike me politika sociale

Rritje të skemave sociale në dëm të projekteve kapitale po parasheh Qeveria Kurti 2. Premtimet e fushatës për shtesa për fëmijë, pagë minimale, punësim të garantuar për të rinjtë e shtesa për lehonat e papuna, janë përfshirë edhe në Programin e Qeverisë. Por këto, sipas ekonomistëve, nuk ndikojnë që të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Ndryshime të skemave sociale që përmbajnë kosto të lartë buxhetore po parashihen në Programin qeverisës Kurti 2. Shtesat prej 20 eurosh për fëmijë nën moshë 2-vjeçare, shtesa prej 10 eurosh për fëmijë nga 2 deri në 16 vjeç, rimbursim të familjeve me të ardhura vjetore të ulëta, pagë minimale prej 250 eurosh për gratë lehona të papuna, janë premtimet e Kurtit që janë përfshirë edhe në Program.

Por këto ndryshime, bazuar në të dhënat që ka ASK-ja, vetëm për shtesat e fëmijëve dhe pagesat për gratë lehona të papuna shpenzimeve vjetore të skemës sociale prej rreth 500 milionë eurosh do t’i shtoheshin edhe 100 milionë të tjera.

Sipas Arian Zekës, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, rritja e skemave sociale nuk ndikon që vendi të ketë një ekonomi të qëndrueshme.

“Këto skema sociale dhe të fokusuarit vetëm në kategori të cilat përfitojnë nga këto skema sociale do të ndikojë në thellimin e deficitit buxhetor dhe në një të ardhme jo shumë të largët në detyrimin e shtetit që të prekë edhe normat tatimore, meqenëse nuk do të kemi mundësi buxhetore për mbështetjen e këtyre skemave dhe skemave të cilat gjithnjë e më tepër gërryejnë buxhetin e shtetit”, ka theksuar ai.

Zeka thotë se si Odë Ekonomike Amerikane do të donin që në program qeverisës të kishin më tepër politika ose vendime që fuqizojnë sektorin privat dhe krijojnë kushte për tërheqjen e investitorëve të jashtëm dhe atyre të brendshëm. Këto, sipas tij, do të ishin faktorët që do të ndikonin edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në mënyrë afatgjatë.

Në Program parashihet rritja e pagës minimale në 250 euro. Por, sipas Zekës, OEAK-u është kundër përcaktimit të pragut të pagës minimale.

Shtesat për fëmijë do të rrisin koston buxhetore prej rreth 78 milionë eurosh. Kjo, pasi, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, në Kosovë janë 91.244 fëmijë nën moshën 3-vjeçare dhe 466.043 mbi moshën trevjeçare.

Edhe pika tjetër për pagesa prej 250 eurosh për gjashtë muaj për të gjitha gratë që lindin dhe nuk janë në marrëdhënie pune ka kosto buxhetore.

Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2019, në Kosovë ishin regjistruar 21.191 lindje. Bazuar në të dhënat e punësimit, gratë përbëjnë vetëm 24 për qind të numrit të të punësuarve. Kjo i bie që nevojiten rreth 24 milionë euro në vit për përmbushjen e kësaj pike.

Jeton Mehmeti nga Institutit GAP thotë se këto premtime mund të jenë të realizueshme, por kërkojnë planifikim të mirë financiar.

“Për t'u realizuar këto politika do të duhej të ndërmerreshin disa reforma jo të lehta, sidomos në riorganizimin e skemave sociale dhe në zvogëlimin e numrit të të punësuarve në sektorin publik, duke qenë se pandemia ka ngadalësuar rritjen ekonomike, bizneset nuk mund të rëndohen edhe me më shumë taksa e tatime”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, buxheti për to duhet të kërkohet përmes riorientimit të buxhetit aktual, dhe kjo nënkupton që një kategori e përfituesve të gjertanishëm do të mbesin keq.

Në Programin qeverisë nuk është paraparë as kostoja e as se kur pritet që të fillojë zbatimi i këtyre masave. KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Financave rreth kësaj çështjeje, por ajo nuk është përgjigjur.

Buxheti i shtetit do të ngarkohet edhe me skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës, ku kostoja minimale vjetore mund të shkojë mbi 104 milionë euro.

Kjo, pasi, sipas ASK-së, janë 105.300 persona mes moshës 16 dhe 18 vjeç. Çdo vit moshën 16-vjeçare e arrijnë rreth 35 mijë persona.