3 perditesime
21:33

Ramaj: Zyrtarët qeveritarë nuk e dinë fare procesin e sigurimeve shëndetësore

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se zyrtarët qeveritarë nuk e dinë se si është i shtrirë sistemi informativ shëndetësor dhe se në programin për shëndetësi janë futur gjëra të parëndësishme, teksa janë lënë jashtë fusha kyçe në shëndetësi.

“Nuk e dinë fare procesin e sigurimeve shëndetësore, gjendjen aktuale, nuk e dinë si është i shtrirë sistemi informativ shëndetësor. Ata mendojnë se sistemi informativ është i gatshëm dhe mund të fillojnë menjëherë me sigurime shëndetësore, çështja është shumë më e ndërlikuar. Ka qenë shumë shqetësuese që Zemaj e ka ulur gati për 20 milionë euro buxhetin për barna. Nuk kishim ndonjë plan nëse do ndryshohet kjo situatë, pastaj ka qenë lista e pajisjeve mjekësore që është 10 vjet e pareviduar. Nuk ka ndonjë plan për listë esenciale, fondi për trajtim jashtë vendit është problem kyç”, ka thënë Ramaj në Deskun e KOHËS.

Ramaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të punonte në më shumë fronte se sa që është shprehur në planin qeverisës.

“Ministria e Shëndetësisë do të duhej të punonte në shumë fronte, sepse nëse punon vetëm në frontin e pandemisë atëherë është lajm i keq, sepse sigurimet shëndetësore janë urgjencë e dytë pas situatës pandemike”, ka shtuar Ramaj.

21:16

Krasniqi: Qeveria nuk ka adresa të sakta se ku do ta sigurojë buxhetin për realizim të planit

Gazetari i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka thënë se në Programin e Qeverisë nuk ka adresa të sakta se ku mund të sigurohen mjetet për t’i përmbushur synimet që ka për 4 vite në qeverisje.

ka treguar se si sipas planin qeverisës është paraparë që të mbështeten financiarisht grupet e ndryshme të shoqërisë dhe sa do t’i kushtojë kjo buxhetit të shtetit.

“Shumë nga kërkesat të shtruara ndër vite janë akomoduar në program dhe për dallim prej fushave të tjera, këtu ka pasur edhe shifra të caktuara. Te rasti për fëmijët, deri 2 vjeç do ndihmohen me 20 euro, ndërsa deri në 16 vjeç me nga 10 euro dhe kostoja buxhetore për këto dy kategori për një vit është diku 54 milionë. Pastaj është mbështetja e nënave të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë, me pagë minimale 250 euro. Nëse e marrim si shifër që gjysma e nënave janë të papuna, i bie që minimum 112 mijë e 500 të tilla janë brenda vitit dhe kostoja për këtë është diku 18 milionë e 750 mijë euro”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Krasniqi ka thënë se në plan janë planifikuar disa rrugë për mbushjet e buxhetit, porse për të realizuar planet që ka paraparë, Qeveria nuk ka adresë të saktë.

“Edhe aty flitet në terma të përgjithshme, qeverisje më të mirë, luftimi i ekonomisë joformale. Çfarë kemi pa te qeveria Kurti te projeksionet e saj, kemi pa planin për borxh ndërkombëtar, që synon gjysmë miliard euro t’i marrë borxh, përfshirë marrëveshjet për kredi por edhe borxh i brendshëm duke emetuar letra me vlerë. Bono të veçanta do parashihen për mërgatën, si do punohet në këtë fushë mbetet të shihet. Kështu synohet të mbushet buxheti më shumë, por nuk ka adresa të sakta se ku mund të sigurohen këto mjete për t’i vënë në këto pjesë”, ka shtuar Krasniqi.

20:55

Gashi: Prioritet i Qeverisë duhet të jenë zhvillimet e brendshme

Gazetari i KOHË-s, Fitim Gashi, thotë se prioritet i Qeverisë Kurti 2 duhet të jenë zhvillimet e brendshme. Ndonëse ai thotë se suksesi i kësaj qeverie dhe fati i saj mund të matet në fund me një Marrëveshje eventuale me Serbinë.

“Prioritet kryesor duhet të jenë këto zhvillime të brendshme, pavarësisht se kërkesë e madhe e ndërkombëtarëve është dialogu me Serbinë dhe politika e jashtme. Ndoshta suksesi i kësaj Qeverie e ndoshta edhe fati i saj do të varet nga një marrëveshje që ndoshta do të arrihet me Serbinë. Është program ambicioz e nuk dihet a përmbushen të gjitha. Dialogu po kërkohet me urgjencë, e do të synohet të arrihet një marrëveshje e shpejt, e t’i faturohet si sukses kësaj qeverie. Por në bazë të asaj që kemi parë në program dhe qasjes si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, nuk ka shpresa që marrëveshja do të arrihet shpejt. Pavarësisht asaj se po e shohim që z. Kurti ju ka shtuar vullneti të merret me dialog”, ka thënë Gashi në Deskun e KOHËS.

20:41

Ramaj: Drejtësia, pjesë pozitive e Programit të Qeverisë

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, e ka vlerësuar drejtësinë, pjesë pozitive të programit të Qeverisë për 2021-2025.

“Programi për drejtësi është një nga programet më të mira, nëse ka diçka pozitive në këtë program sepse ka shumë nisma ligjore. Vettingu si procesi kyç që pritet të ndodhë në drejtësi, pastaj ligji për konfiskimin e pasurisë, ligje të tjera, ide, etj”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS.

Ajo ka shtuar se “plani i Ministrisë së Drejtësisë për pjesën e drejtësisë është goxha ambicioz”.

Ajo ka folur edhe për reagimet e kritikat nga opozita që shkaktoi procesi i vettingut.

“Te vettingu ka dilema nëse duhet të bëhet me ndryshime ligjore apo kushtetuese, me ndryshime ligjore është më e lehtë. Ka pasur në publik pajtueshmëri prej disa partive politike se duhet të bëhet vettingu, por ata kanë pasur dilema nëse VV është e aftë të bëjë vetting dhe nëse mund ta politizoj këtë proces”, ka shtuar ajo.